Belgjika, masa për kursimin e energjisë – Fiken dritat në ndërtesat publike. Taksim fitimeve të tepërta të kompanive energjetike
Belgjika njoftoi një sërë masash për të trajtuar rritjen e çmimeve të energjisë, duke përfshirë ulje të konsumit në ndërtesat publike dhe një propozim për të taksuar fitimet e tepërta të kompanive të energjisë si Engie dhe TotalEnergies.
Kryeministri belg, Alexander De Croo, tha se ngrohja në ndërtesat publike do të kufizohet në 19 gradë Celsius dhe do të reduktohet përdorimi i ajrit të kondicionuar, ndërsa dritat nëpër zyra dhe monumente do të fiken në orën 19:00. Bisedimet do të vazhdojnë për të vendosur për fikjen e dritave në autostrada dhe në qytete në orë të caktuara.
Qeveria federale tha gjithashtu se do të paraqesë deri në fund të shtatorit një propozim për të taksuar fitimet e tepërta të kompanive të energjisë.
“Në vendin tonë, një taksë mbi fitimet e tepërta ekziston tashmë në sektorin bërthamor. Qëllimi i propozimit të ri është që të shtrihet kjo masë në kompanitë e tjera në sektorin e energjisë, fitimet e të cilave tani janë shumë të larta,” tha De Croo.
Pushtimi rus i Ukrainës, e detyroi Belgjikën të rimendonte planet për t’u mbështetur më shumë në gazin natyror dhe për të ndaluar përdorimin e energjisë bërthamore tërësisht në vitin 2025. Në korrik, ajo arriti një marrëveshje fillestare me grupin francez Engie për të zgjatur operimin e dy reaktorëve të saj më të rinj bërthamorë, Doel 4 dhe Tihange 3, me 10 vjet.
Qeveria belge i kërkoi gjithashtu operatorit Engie të shqyrtojë shtyrjen e mbylljes përfundimtare të një prej dy reaktorëve të saj më të vjetër Tihange 2 deri më 31 mars 2023, megjithëse Engie tha se ishte e pamundur.
Zyra e statistikave e BE-së, Eurostat tha në fillim të këtij viti, se Belgjika kishte inflacionin më të lartë të energjisë në BE dhe se qeveria në Bruksel ka ndërhyrë vetëm me taksat dhe tarifat për të lehtësuar konsumatorin.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.