Rritja e energjisë ndryshon mënyrën e punës – Risia e fabrikës italiane të qeramikës për të kursyer. Por, fatura mujore ishte 127 mijë euro
Dielli nuk kishte lindur ende mbi “Citta di Castello” në rajonin e Umbrias, Italia Qendrore, kur punëtorët e parë filluan të mbërrinin në fabrikën e qeramikës “Ceramiche Noi”…….. Dita nis me një kafe e shpejtë në makinën shitëse, disa biseda mes kolegëve dhe të gjithë në punë……
Ndërsa Moska kufizon furnizimet me gaz në Europë dhe çmimi i gazit dhe energjisë elektrike rritet në Itali dhe vende të tjera europiane, kësaj kompanie të vogël i është dashur të gjejë mënyra për të optimizuar konsumin e energjisë pa ndikuar në prodhimin.
Fabrika e qeramikës ka ndryshuar turnet e punës për të përkuar me kohën kur çmimi i energjisë elektrike është më i ulët. Turni i mëngjesit ka lëvizur nga ora 9 në 6, kështu që punonjësit përdorin rrezet e diellit herët në mëngjes si burim kryesor të dritës në vend të ndriçimit elektrik dhe punojnë në pjesën më të freskët të ditës.
Për më tepër, duke përfituar nga orët e para të mëngjesit, kompania mund të përdorë periudhat kohore kur energjia elektrike është më e lirë. Në këtë mënyrë po ndodh një ndryshim rrënjësor, por i domosdoshëm i stilit të jetesës për punonjësit. Por, të gjithë ata e kanë kuptuar se kjo është mënyra e vetme për të ndihmuar në mbrojtjen e punës së tyre për të ardhmen.
“Ne dikur hanim mëngjes në shtëpi, sepse mund të ngriheshim pak më vonë, por tani përpiqemi të zgjohemi në minutën e fundit, kështu që sapo të mbërrijmë, gjëja e parë që bëjmë është të pimë një kafe”, tha qeramistja Samuela Marza.
Shumë prej punëtorëve tani duhet t’u kërkojnë familjarëve që ti ndihmojnë për t’u kujdesur për fëmijët e tyre në orët e mesditës, kur ata nuk janë ende në shkollë.
Italia në vitin 2021 merrte 40% të gazit të importuar nga Rusia. Këtë vit qeveria italiane ka kërkuar të gjejë furnizues alternativë dhe tani ka ulur pjesën e gazit të importuar rus në rreth 18%. Javën e kaluar lobi industrial i Italisë “Confindustria” paralajmëroi për rrezikun e dështimeve të kompanive prodhuese nëse çmimet e energjisë nuk ulen, ndërsa kërkoi një plan qeveritar për racionimin e gazit dhe subvencione të reja për të mbrojtur prodhuesit.
Deri më tani, qeveria italiane ka shpenzuar 52 miliardë euro këtë vit për një sërë masash për të ndihmuar në mbrojtjen e bizneseve dhe familjeve nga rritja e kostove të energjisë dhe çmimeve të konsumit. Por, kjo kompani e vogël që përdor furra gjigante për të prodhuar qeramikë të shitura në mbarë botën, mund të mos ketë kohë të mjaftueshme për të pritur masat e qeverisë.
Për momentin, për këtë sipërmarrje, në pritje të ndihmës nga qeveria, nuk mbetet gjë tjetër veçse të paguajë faturën dhe të shpresojë që situata të ndryshojë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.