Bizneset, detyrime për ujërat e ndotur – Del rregullorja/ Teknologjia që duhet të instalojnë deri në fillim të majit
Deri në muajin maj, të gjithë subjektet që kryejnë aktivitete ekonomike në zonat bregdetare, si dhe në bregun e liqeneve dhe lumenjve, dhe shkarkojnë ujërat e ndotur në ujëra larës duhet të instalojnë impiantet e trajtimit dhe largimit të tyre.
Ndërkohë që, ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ajo e Turizmit dhe Mjedisit kanë miratuar rregullat që duhet të ndjekim këto subjekte, që lidhen me standardet e kërkuara, në mënyrë që të mos bëhen objekt penalizimi nga Task – Forca që do të ngrihet për kontrollin e tyre. Sipas dokumentit të publikuar në Fletoren Zyrtare, teknologjia e impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura duhet të jetë ajo e trajtimit me llum aktiv.
Ndërkohë që, kjo teknologji duhet të implementohet edhe nga subjektet që disponojnë gropa septike. Po ashtu, rregullorja ka përcaktuar edhe vlerat e lejuara të shkarkimeve, që duhet të përmbushin bizneset që shkarkojnë ujërat e zeza, në ujëra larës.
Dokumenti përcakton edhe lidhjen me sistemin e kanalizimeve të ujërave të ndotura, si dhe hapat që duhet të ndiqen nga subjektet në rast të mungësës së rrjetit të kanalizimeve në zonë.
Detyrimi për instalimin e impianteve të trajtimit dhe largimit të ujërave të ndotur përfshin të gjitha llojet e subjekteve, duke nisur nga strukturat akomoduese, agroturizmat, bujtinat, hotelet, komplekset turistike, baret, restorantet, etj.
Ndërkohë që, sipas të dhënave nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në total pranë ujrave larës janë 9000 subjekte. Ndërkaq, Task-Forca, që do të ngrihet për monitrimin e zbatimit të këtyre detyrimeve do të nisë kontrollet në terren, në javën e parë të majit, që përkon me përfundimin e afatit 3 – mujor për instalimin e impianteve, ndërsa në rast të konstatimit të shkeljeve do të mund të vendosë gjoba e deri mbyllje të aktivitetit.
Ola Mitre /SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.