Kuvendi i hap “dritën jeshile” basteve on line – Votohet mes kaosit projektligji për lojërat e fatit
Me 72 vota pro, Kuvendi i Shqipërisë, i ka hapur dritën jeshile formalizmit të basteve on line. Pavarësisht tensioneve të krijuara në seancë plenare, deputetët e mazhorancës kanë dhënë pëlqimin për miratimin e projektligjit për lojërat e fatit, për të cilin kanë abstenuar Erion Braçe dhe Fatmir Xhafaj.
Seanca është zhvilluar për 12 minuta në total, pasi deputetë të opozitës kanë krijuar kaos duke penguar ecurinë normale të saj.
Sipas ligjit, do të krijohet regjistri elektronik i personave për të cilët është vendosur moslejimi për t’u futur në ambientet e lojërave të fatit. Ky regjistër do të jetë i aksesueshëm nga të gjithë organizatorët e lojës së kategorisë për të cilën është kërkuar ndalimi.
Dokumenti i hartuar nga Ministria e Financave garanton sigurimin e mënyrës së regjistrimit të çdo lojtari që luan baste sportive online, duke pasur në kontroll çdo informacion dhe shumën e luajtur, pasi çdo lojtar duhet të regjistrohet në platformë nëpërmjet ID-së dhe të gjitha transaksionet mes tij dhe kompanisë do të kryhen nëpërmjet sistemit bankar.
Të dhënat për lojtarët, do të mbahen për tre vjet në një regjistër të posaçëm nga të gjithë organizatorët e lojërave të fatit, si masë për të kontrolluar pikërisht shumat që do mund të qarkullohen nëpërmjet këtij aktiviteti.
Në ligjin e ri parashikohen kritere më të forta për licencimin e operatorëve, të cilët do të angazhohen në veprimtarinë baste sportive on line, ku kriter kryesor është që subjekti aplikues duhet të jetë shoqëri aksionere me seli në territorin e Republikës së Shqipërisë e regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, si dhe duhet të ketë në objektin e veprimtarisë së tij organizimin e basteve sportive dhe një kapital themeltar jo më pak se 40 milionë lekë.
Për organizatorët e basteve on-line, licenca do të jetë e kufizuar deri në 10 të tilla , jepet për një periudhë 10-vjeçare dhe tarifa e licencimit do të jetë në masën 400 milionë lekë për një periudhë 10- vjeçare. Licencimi do të bëhet me garë në bazë të një sistemi pikëzimi nëpërmjet krijimit të një Komisioni të Licencimit.
Elisabeta Dosku/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.