Blinken mbërrin në Tiranë – Pritet nga ministri i Jashtëm Igli Hasani
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka mbërritur në Tiranë në vizitën e tij të parë zyrtare në Shqipëri.
Blinken është pritur nga ministri i Jashtëm Igli Hasani dhe i deleguari me punë i ambasadës amerikane në Tiranë.
Nëpërmjet një njoftimi të publikiuar në faqen zyrtare ministri i Jashtëm Igli Hasani është shprehur:
“Mirë se erdhe Antony! Me kënaqësi të mirëpres Sekretarin e Shtetit Antony Blinken në vizitën e tij të parë zyrtare në Shqipëri.
Partneriteti dhe bashkëpunimi strategjik i Shqipërisë me SHBA-në, aleatin tonë të kahershëm, vetëm sa do të forcohet, i ndërtuar mbi një themel të fortë midis vendeve dhe njerëzve tanë.
I jam jashtëzakonisht mirënjohës Sekretarit Blinken për mbështetjen dhe bashkëpunimin e tij të paçmuar.”
Ambasada e SHBA-së në Shqipëri nëpërmjet një njoftimi zyrtar ka bërë me dije se gjatë vizitës së tij të parë në Shqipëri, Sekretari i Shtetit i SHBA, Antony Blinken do të takohet me Presidentin Bajram Begaj, Kryeministrin Edi Rama dhe do të marrë pjesë në një aktivitet të veçantë rinor te Piramida e Tiranës, për të festuar të ardhmen e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri. Ai do të takohet gjithashtu me drejtues të sistemit të drejtësisë dhe komunitetin e ambasadës.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.