Bonusi i fundvitit – Mete: Plotësuam paketën e solidaritetit edhe për një sërë shtresash në nevojë!
Pas miratimit në Këshillin e Ministrave të Aktit Normativ për disa ndryshime në Buxhetin e vitit 2023 Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete u shpreh se synimi kryesor ishte plotësimi i paketës së solidaritetit, pas dy bonuseve të akorduara për pensionistët, edhe për një sërë shtresash në nevojë.
Sipas njoftimit për media paketa përfshin bonuse sociale në të njëjtën masë të shpërblimit që sapo iu akordua pensionistëve për:
- 64 mijë përfitues të ndihmës ekonomike;
- 73 mijë përfitues të pagesave mbështetëse të aftësisë së kufizuar;
- 36 mijë familje me fëmijë në ndihmë ekonomike;
- 68 mijë invalidë të punës;
- 44 mijë përfitues të pensioneve familjare.
Mete bëri me dije gjithashtu se parashikohet një shpërblim për 1144 punonjës të administratës shtetërore, përfaqësues në takimet bilaterale të zhvilluara në kuadër të procesit të negociatave për anëtarësim në BE, edhe për shkak të rezultateve të lavdërueshme dhe të vlerësimeve të larta që kanë marrë edhe nga Komisioni Europian.
Një tjetër mbështetje sipas Mete shkon për çdo punonjës policie për kompensimin e tyre ushqimor në një vlerë totale prej rreth 800 milionë lekë.
“Ka një mbështetje për të gjitha bashkitë, si një shtesë granti të pakushtëzuar për të adresuar detyrimet e prapambetura. Shtesa totale për të gjitha bashkitë sipas listës së paracaktuar shkon në 2 miliardë lekë”, u shpreh ai.
Ndër të tjera ministri njoftoi se ka rialokime sa i përket shpenzimeve kapitale për financimin e projekteve infrastrukturore, në rrugë e ujësjellës, duke i dhënë një tjetër shtysë investimeve publike të cilat në total janë rreth 20 miliardë lekë, ndërkohë që mbetet i pandryshuar niveli i planifikuar i të ardhurave, si edhe projeksionet për borxhin publik.
E . S / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.