Britanikët përballen me mungesën e çajit – Ndërprerja e rrugëve tregtare rrezikon pijen tradicionale
Blerësit në Britani mund të përballen me mungesë të furnizimeve të çajit në disa dyqane për shkak të ndërprerjeve në rrugët tregtare dhe vonesave. Gjigandi i shitjes me pakicë Sainsbury’s konfirmoi se kishte probleme që mund të ndikojnë në disponueshmërinë e çajit të zi, megjithëse pritet të zgjasë vetëm për një periudhë të shkurtër.
Edhe drejtuesit e shitjes me pakicë thonë se problemet janë të përkohshme dhe theksuan se ndikimi tek konsumatorët pritet të jetë minimal. Kuptohet se ndërprerja lidhet me sulmet e Houthi-ve ndaj anijeve në Detin e Kuq, si dhe me vonesat e ofertës dhe kërkesës me një furnizues çaji në supermarket.
Kina, India, Sri Lanka dhe Kenia prodhojnë rreth tre të katërtat e çajit globalisht. Dërgesat e mallrave nga Azia dhe Afrika Lindore janë përballur me ndërprerje të konsiderueshme gjatë dy muajve të fundit për shkak të sulmeve në Detin e Kuq.
Dhuna nga rebelët Houthi në rajon bëri që shumica e firmave të transportit detar që përdorin rrugën jetike tregtare, e cila shkon drejt kanalit të Suezit, të ridrejtojnë dërgesat rreth “Kepit të Shpresës së Mirë” në brigjet e Afrikës. Kjo shton afërsisht 10 deri në 14 ditë në kohën e dërgesës, si dhe rrit kostot për firmat e transportit.
SHBA-ja dhe Britania e Madhe kanë ndërmarrë sulme të përbashkëta ndaj Houthi-ve me bazë në Jemen gjatë javëve të fundit në një përpjekje për të ndaluar valën e fundit të goditjeve.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.