Bursat europiane e nisin javën në rënie – Tregjet presin takimet e bankave qendrore, parashikohet rritje e interesave
Tregjet europiane e kanë nisur javën në rënie, pasi investitorët po presin takimet e bankave qëndrore më të mëdha të botës, që zhvillohet më vonë gjatë kësaj jave. Indeksi pan-Europian Stoxx 600 e ka nisur ditën në rënie me 0.6%, ndërsa lëndët e para realizojnë fitimet më të mëdha, në rritje me 1.7%.
Rezerva Federale do të fillojë të martën takimin 2-ditor, dhe pritshmëritë janë që norma bazë e interesit të rritet me 50 pikë bazë. Referuar të dhënave më të fundit në SHBA, çmimet e prodhimit u rritën me 0.3% gjatë nëntorit, një hap më i madh se parashikimet e analistëve.
Ndërkohë, ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar u rrit me 0.5% me bazë mujore, gjatë tetorit, ndërsa analistët parashikonin një rritje me 0.4%. Por, Banka e Anglisë parashikon se ekonomia është tashmë në recesion, i cili do të zgjasë deri në fund të vitit 2023. Gjatë ditës së sotme nuk priten të dhëna të rëndësishme dhe fokusi i tregjeve do të jetë vetëm te takimet e Rezervës Federale, Bankës Qendrore Europiane dhe Bankës së Anglisë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.