Bursat europiane i rikthehen fitimeve – Investitorët presin takimin e Rezervës Federale dhe BQE
Bursat europiane janë hapur në rritje të lehtë edhe në sesionin e sotëm, ndërsa investitorët presin përfundimin e takimit të Rezervës Federale, ditën e sotme. Indeksi pan-Europian Stoxx 600 e ka nisur ditën në rritje me 0.4%, ndërsa shumica e sektorëve janë në territor pozitiv. Në sesionin e kaluar, ky indeks ra me 1.2%, duke prekur nivelin më të ulët në 1 muaj. Sektori i naftës dhe gazit realizoi humbjet më të mëdha, pasi çmimet e naftës ranë me mbi 5%.
Ndërkohë, shumica e tregjeve të Azi-Paqësorit patën një tendencë në rënie. Analistët presin gjerësisht se Banka Qendrore në SHBA do të rrisë normën bazë të interesit me 25 pikë bazë, ndërsa të enjten Banka Qendrore Europiane pritet ta rrisë normën bazë të interesit me 50 pikë bazë.
Në fokus të tregjeve janë edhe fitimet tremujore të korporatave dhe gjatë ditës së sotme pritet të publikojnë raportet e tyre, kompani si Lloyds Banking Group, Aston Martin, BNP, Airbus, Stellantis dhe Deutsche Post. Gjithashtu, sot do të publikohen edhe të dhënat mbi papunësinë në Eurozonë për muajin mars.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.