Bursat europiane, në rënie të lehtë – Investitorët presin takimin e BQE, pritet rritje e interesave
Bursat europiane po qëndrojnë në rënie në sesionin e sotëm, pasi investitorët po presin vendimet e Bankës Qendrore Europiane, më vonë gjatë ditë së sotme. Indeksi pan-Europian Stoxx 600 po qëndron në rënie me rreth 0.2%, ndërsa sektori minerar kryeson humbjet, në rënie me rreth 0.8%.
Banka Qendrore Europiane pritet të rrisë normën bazë të interesit edhe me 25 pikë bazë, ndërsa do të përgatitë tregjet për norma të larta interesi për një kohë të gjatë. Vendimi i BQE pritet të vijë menjëherë pasi Rezerva Federale e mbajti të pandryshuar normën bazë të interesit në intervalin nga 5% deri në 5.25%.
Përsa i përket korporatave, Siemens do të shpenzojë rreth 2 miliardë euro për të mbështetur rritjen në rang global. Investimet do të shkojnë në fabrika me teknologji të lartë, laboratorë dhe qendra edukimi, pasi kompania gjermane synon të bëhet një lojtar më i madh në dixhitalizim, automatizim dhe qëndrueshmëri. Siemens do të fillojë investimet në Gjermani dhe në Shtetet e Bashkuara.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.