Bursat europiane zgjerojnë fitimet – Investitorët presin Bankën e Anglisë dhe fitimet e korporatave
Bursat europiane janë hapur në rritje në sesionin e sotëm, pasi investitorët i kanë mirëpritur të dhënat mbi inflacionin në SHBA dhe po presin vendimin që do të marrë ditën e sotme Banka e Anglisë. Indeksi pan-Europian Stoxx 600 e ka nisur ditën në rritje me 0.4%, ndërsa shumica e sektorëve janë hapur në territor pozitiv.
Të dhënat e publikuara në SHBA treguan se inflacioni u rrit me 4.9% me bazë vjetore gjatë prillit, ndërsa analistët parashikonin një rritje me 5%. Me bazë mujore, inflacioni u rrit me 0.4%, në linjë me parashikimet e tregjeve.
Për sa i përket Bankës së Anglisë, analistët parashikojnë një tjetër rritje të normës bazë të interesit me 25 pikë bazë, e cila do të jetë e 12-ta me radhë. Ndërkohë, shumica e tregjeve aziatike patën një performancë mikse, gjatë sesionit të sotëm. Në fokus të tregjeve janë edhe fitimet tremujore të korporatave, dhe gjatë ditës së sotme pritet të publikojnë raportet e tyre kompani si Bayer, Deutsche Telekom, Merck dhe Prada.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.