Bursat europiane zgjerojnë humbjet – Investitorët, të fokusuar te fitimet tremujore të korporatave
Bursat europiane po qëndrojnë në rënie edhe në sesionin e sotëm, ndërsa investitorët janë të fokusuar te fitimet tremujore të korporatave. Indeksi pan-Europiane Stoxx 600 e ka nisur ditën në rënie me 0.5%, ndërsa shumica e sektorëve janë në territor negativ. Sektori bankar dhe ai minerar kanë humbur rreth 1.5% të vlerës, ndërsa shërbimet financiare janë në rënie me rreth 1.4%.
Banka zvicerane, UBS, që pak javë më parë bleu Credit Suisse, raportoi një rënie të fitimit neto prej 52% në tremujorin e parë të këtij viti. Në anën tjetër, kompania farmaceutike, Novartis raportoi fitime më të larta se parashikimet e analistëve dhe rriti vlerësimin për fitimet e të gjithë vitit.
Edhe shumica e tregjeve aziatike patën një tendencë në rënie, ndërsa investitorët ishin në pritje të takimit Bankës së Japonisë. Tregjet po presin edhe fitimet tremujore të gjigandëve të teknologjisë, si Alphabet, Microsoft, Amazon dhe Meta, që do të japin një panoramë më të qartë mbi shëndetin e ekonomisë amerikane.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.