Çfarë përmban Plani i Ri i Ballkanit? – Ja katër shtyllat ku bazohet. Përshpejtim i konvergjencës ekonomike me BE!
Nëntorin e vitit që lamë pas, Komisioni Europian miratoi një Plan të ri Rritjeje për Ballkanin Perëndimor, e si synim ishte që rajoni të arrijë të përfitojë nga anëtarësimi përpara vendimit zyrtar. Për rrjedhojë, kjo do nxisë rritjen ekonomike dhe përshpejtojë konvergjencën social-ekonomike.
Plani i ri i Rritjes së Ballkanit Perëndimor bazohet në katër shtylla, por çfarë synojnë?
Kryesorja është rritja e integrimit ekonomik me tregun e Bashkimit Europian, ku si kusht është që Ballkani Perëndimor, të përafrohet me rregullat e tregut unik të Bashkimit Europian.
Ajo çka sugjerohet nga kjo shtyllë e parë janë lëvizje e lirë e mallrave, shërbimeve dhe punëtorëve, qasja në Zonën Unike të Pagesave në Euro, lehtësim i transportit rrugor, dekarbonizim dhe integrim të tregjeve të energjisë, treg unik digjital si dhe një integrim në zinxhirët e furnizimit industrial.
Një nga shtyllat e Planit të Ri është nxitja e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes Tregut të Përbashkët Rajonal, i cili të jetë i bazuar në rregullat dhe standardet e BE-së. Gjithashtu e rëndësishme është dhe përshpejtimi i reformave themelore, nga ku përfshihet përmirësimi i rritjes së qëndrueshme ekonomike si dhe heqjen e investimeve të huaja dhe forcimin e stabilitetit rajonal.
Shtylla e katërt e Planit është rritja e asistencës financiare për periudhën 2024-2027, nga ku është propozuar një Mekanizëm i Reformave dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor, përmes një instrumenti të ri me vlerë 6 miliardë Euro. Kjo vlerë përbëhet nga 2 miliardë Euro grante dhe 4 miliardë euro kredi koncensionare.
Çdo partner i Ballkanit Perëndimor, si pjesë e Planit të Rritjes, do duhet të përgatisë një agjendë reformash, bazuar kjo në rekomandimet ekzistuese.
Diamila Leka/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.