Danimarka, shton 7.9 mld USD për mbrojtjen – Shërbim i detyrueshëm ushtarak 11 muaj për gratë dhe burrat
Danimarka do të rrisë buxhetin e saj të mbrojtjes me 40.5 miliardë korona daneze (7.9 miliardë dollarë) gjatë pesë viteve të ardhshme për të përmbushur objektivat e NATO-s dhe adresuar mangësitë e mëdha të mbrojtjes. Vendi do të nisë të përfshijë edhe femrat në forcat e armatosura.
Një anëtare themeluese e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, Danimarka zvogëloi aftësitë e saj ushtarake pas përfundimit të Luftës së Ftohtë në fillim të viteve 1990.
“Ne nuk po riarmatosemi se duam luftë, shkatërrim, ose vuajtje. Ne po riarmatosemi tani për të shmangur luftën në një botë ku rendi ndërkombëtar po sfidohet,” tha kryeministrja Mette Frederiksen, duke iu referuar indirekt ushtrisë ruse.
Rusia, e cila është e përfshirë në një luftë në Ukrainë, planifikon të vendosë trupa dhe pajisje ushtarake në kufirin finlandez, pas hyrjes së kësaj të fundit në NATO, tha më 13 mars presidenti rus Vladimir Putin. Danimarka ka qenë nën presionin e Uashingtonit për të rikthyer shpenzimet ushtarake në objektivin e NATO-s prej 2% të PBB-së, nga 1.4% në 2023.
Financimi i ri i mbrojtjes vjen si shtesë e 155 miliardë koronave që Danimarka premtoi në 2023 për 10 vitet e ardhshme. Plani i paraqitur nga qeveria përfshinte zgjatjen e shërbimit të rekrutimit në 11 muaj nga katër muaj aktualisht. Sipas këtij plani, shërbimi ushtarak do të jetë i barabartë si për burrat, ashtu edhe për grate.
Ndërsa, ndihma e madhe ushtarake për Ukrainën, duke përfshirë një dhurim të avionëve luftarakë F-16, e ka ndihmuar Danimarkën të përmbushë objektivin e shpenzimeve të NATO-s, ajo ende nuk ka investuar në një mënyrë të madhe në forcat e veta.
Këto investime do të ndihmojnë Danimarkën të përmbushë objektivin e NATO-s deri në vitin 2025. Investimet do të mbulojnë sistemet e mbrojtjes ajrore dhe një brigadë të rëndë të këmbësorisë me deri në 6,000 ushtarë deri në vitin 2028, të cilat mund të vendosen si pjesë e forcave të urgjencës të NATO-s në gatishmëri të lartë.
Dorian Koça/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.