BE padit Greqinë në Gjykatën e Lartë – Për dështim të rishikimit të planeve të rrezikut pas përmbytjeve shkatërruese
Komisioni Evropian deklaroi se do të padisë Greqinë në Gjykatën e Lartë të BE-së për dështimin e saj në rishikimin e planeve të menaxhimit të rrezikut nga përmbytjet, një mjet kyç për vendet e BE-së për t’u përgatitur kundër përmbytjeve.
Veprimi vjen pesë muaj pasi shirat e fuqishëm përmbytën fushat pjellore të Thesalisë, duke shkatërruar të kulturat bujqësore dhe bagëtinë dhe ngritur pikëpyetje në lidhje me aftësinë e vendit mesdhetar për t’u përballur me një klimë gjithnjë e më të çrregullt.
Sipas rregullave të BE-së, vendet duhet të përditësojnë një herë në gjashtë vjet planet e tyre të menaxhimit të përmbytjeve, një sërë masash që synojnë t’i ndihmojnë ata të zbusin rreziqet e përmbytjeve për jetën e njerëzve, mjedisin dhe aktivitetet ekonomike.
Greqia u njoftua zyrtarisht nga Komisioni vitin e kaluar se duhet të finalizonte planet e saj të menaxhimit, por vendi deri më tani nuk ka rishikuar, miratuar, ose raportuar planet e menaxhimit të rrezikut nga përmbytjet, tha Komisioni.
“Komisioni konsideron se përpjekjet e autoriteteve greke deri më sot kanë qenë të pamjaftueshme dhe për këtë arsye po e referon Greqinë në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian”, deklaroi Komisioni.
Ministria greke e mjedisit tha se Komisioni Evropian është njoftuar se planet e vendit do të rishikohen në fillim të verës. Komisioni muajin e kaluar paditi Bullgarinë, Qipron, Spanjën, Irlandën, Maltën, Portugalinë dhe Sllovakinë për mospërmbushje të detyrimeve të tyre përkatëse të raportimit.
Dorian Koça/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.