Dollari forcohet lehtë përballë lekut – Euro gjen stabilitet në intervalin 103.5-104.5 lekë
Edhe gjatë ditës së sotme, vihet re një qëndrueshmëri në tregun e brendshëm valutor, ndërsa dollari amerikan është forcuar lehtë, si reagim i forcimit në tregjet ndërkombëtare. Monedha europiane duket se ka gjetur një stabilitet të ri, në intervalin nga 103.5 deri në 104.5 lekë.
Tregu i brendshëm valutor ka vijuar qëndrueshmërinë edhe në sesionin e sotëm, me euron që është stabilizuar në intervalin nga 103.5 deri në 104.5 lekë, ndërsa vihet re një forcim i lehtë i dollarit amerikan dhe paundit britanik.
Sipas agjencisë së këmbimit valutor, Iliria 98, dollari blihet me 95 dhe shitet me 96 lekë, euro blihet me 103.5 dhe shitet me 104.1 lekë, franga zvicerane blihet me 109 dhe shitet me 110 lekë, ndërsa paundi blihet me 120.5 dhe shitet me 121.5 lekë.
Ndërkohë, në tregjet ndërkombëtare euro është kthyer në rënie të lehtë përballë dollarit amerikan, gjatë orëve të pasdites, ndërsa investitorët presin takimin e Bankës Qendrore Europiane të enjten. Në anën tjetër, Banka e Japonisë nuk e ndryshoi politikën monetare ultra-lehtësuese, në përfundim të takimit 2-ditor, në linjë edhe me parashikimet e tregjeve. Banka qendrore e mbajti të pandryshuar normën bazë të interesit, në -0.1%, ndërsa yieldin e obligacioneve 10-vjeçare pranë 0%.
Në lidhje me Bankën Qendrore Europiane, që gjithashtu mblidhet këtë javë, analistët parashikojnë se norma bazë e interesit nuk do të ndryshohet nga niveli aktual prej 4%. Në kohët e fundit, politikëbërësit e BQE, duke përfshirë edhe presidenten Christine Lagarde, kanë paralajmëruar kundër parashikimeve të tregjeve për uljen e interesave në mars. Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare, po qëndron në rreth 103.2, në rritje të lehtë me 0.1%.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.