Gati ligji i ri për koncesionet – Vjero: Është ngritur grup pune, do reflektohen rekomandimet e FMN
Së shpejti qeveria do të rishikojë ligjin e koncesioneve dhe partneritetit publik privat. Zv.Ministrja e Financave, Vasilika Vjero, ka bërë me dije në komisionin Parlamentar të Ekonomisë, ku po shqyrtohej propozimi i deputetit Laert Duraj për ndryshime në ligj se gjatë vitit të kaluar është ngritur një grup punë për këtë qëllim, i cili do të gjenerojë një produkt përfundimtar që do të reflektojë rekomandimet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.
“Është ngritur një grup pune gjatë vitit 2023 që po sheh gjithë kuadrin ligjor në fushën e koncesioneve dhe PPP-ve, dhe shume shpejt do të vijë me një produkt që ka si qellim harmonizimin e legjislacionit dhe do reflektoje sugjerime të FMN lidhur me procesin e vlerësimit dhe monitorimit te projekteve koncesionare. Jemi njohur me propozimin gjate ditës se djeshme, kemi pasur një hapësirë kohore për ta vlerësuar dhe për ta diskutuar. Tani fusha e koncesioneve ka kaluar pranë Ministrisë se Ekonomisë, dhe Ministria e Financave do të mbajë peshë për monitorimin e kontratave koncesionare dhe implementimin e tyre.”
Deputeti i Partisë Socialiste Laert Duraj ka propozuar ndryshime në ligjin “Për koncesionet dhe partneritetin publik-privat”, që kanë si qëllim ndryshimin e pagesave të garancive nga ana e kompanive që shpallen fituese të këtyre kontratave.
Sipas propozimit, vlera për sigurimin e kontratës duhet të ndahet në 2 pjesë, dhe fillimisht të paguhet garancia për vlerën e investimit. Ndërkohë që, vlera e garancisë për shërbimet të paguhet në momentin që përfundon investimi, me qëllim lehtësimin e operatorëve ekonomikë. Por komisioni ka vendosur të mos miratohen ndryshime pjesore, për shkak të ligjit të ri për të cilin po punohet.
Elisabeta Dosku/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.