Lehtësimi i pagesave, sa kursejnë shqiptarët? – Pagesat voluminoze dikur mbi 200 euro, aktualisht komisione jo më të larta se 50 euro
Ndërsa Banka e Shqipërisë ka paralajmëruar zyrtarisht përfshirjen e afërt të vendit tonë në Zonën e vetme të Pagesave në Euro (SEPA), pjesë e të cilit do të bëhen të gjitha vendet e rajonit, ajo vlerëson një impakt pozitiv prej 14 milionë eurosh në formën e lehtësimit të tarifave për transaksionet bankare. Ka qenë vetë Banka e Shqipërisë që ka vlerësuar gjithashtu se kursimet për ekonominë mund të të arrijnë deri në 10 milionë euro në vit. Ndërkohë që kostot për ekonominë do të mund të uleshin në 0.2% të PBB-së, nga 1.7% të PBB-së në rastin e përdorimit të parasë fizike.
Shembulli më i mirë për të vlerësuar se sa realiste janë këto projeksione është sistemi i pagesave me vlerë të madhe brenda vendit në Euro, të cilin tashmë të gjithë e njohim si AIPS, aktiv që prej janarit të vitit 2022. Deri implementimit të tij, transfertat kombëtare në Euro mund të bëheshin vetëm nëpërmjet përdorimit të llogarive që bankat shqiptare kanë në banka korrespondente jashtë vendit. E shpjeguar në terma më të thjeshta, shumat dilnin jashtë kufijve në drejtim të bankave korrspondente dhe ktheheshin përsëri në bankat shqiptare.
Transaksioni kërkonte kohë, por edhe vishej rrugës me kosto mjaft të larta, të cilat shkonin deri në qindra euro për transferta voluminoze. Shumë shpesh, klientët e bankave shqiptare e kishin më të lehtë të tërhiqnin paratë në cash nga banka ku i kishin dhe t’i derdhin te banka tjetër, se të kryenin transaksionin përmes bankave korrspondente. Procedura zgjaste pak orë dhe, mbi të gjitha kishte kosto shumë më të lira.
Gjërat ndryshuan rrënjësisht me sistemin AIPS Euro dhe me vlerat tavan që aplikohen përmes tij. Transferta në nisje brenda Shqipërisë nëpërmjet Aips Euro nëpër degët bankare, për shumat më të mëdha se 10,000 euro tarifohen 0.2% e shumës, por jo më shumë se 50 Euro. Në rastin e pagesave më të vogla se 10 mijë euro, komisioni nuk duhet të jetë më i lartë se 0.2% e vlerës së transferuar, por jo më i lartë se 6 euro. Tarifat lehtësohen edhe më tej kur pagesat në euro urdhërohen online. Për transfertat e kryera përmes këtij sistemi nuk aplikohen komisione për fondet në mbërritje.
Në terma praktikë, për një transfertë prej 100 mijë eurosh paguhej diccka më shumë se 200 euro komision përmes sistemit të bankës korrespondente, ndërkohë që aktualisht komisioni nuk mund të kalojë 50 eurot. Ka qenë banka e Shqipërisë që bëri me dije se në vitin e parë të palikimit të këtij sistemi shqiptarëve ju kursyen rreth 22 milionë euro në formë komisionesh për transfertat, ndërkohë që për vitin 2023 kursimi nga komisionet është raportuar 22 milionë euro për periudhën janar-nëntor.
Lorenc Rabeta/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.