Ekonomia gjermane rikthehet në nivelin e saj të para pandemisë!
Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) u rrit 0.1 për qind midis prillit dhe qershorit në krahasim me tremujorin e mëparshëm, njoftoi të enjten Zyra Federale e Statistikave (Destatis), duke korrigjuar një vlerësim të shpejtë të mëparshëm. Fillimisht u fol për një stanjacion të zhvillimit ekonomik. Në fillim të vitit u shënua një rritje e mëtejshme prej 0.8 për qind.
Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2019, pra pak para fillimit të pandemisë së koronas, rezulton se PBB është kthyer për herë të parë në nivelin e para krizës në pranverë.
Sipas Zyrës, ekonomia është mbështetur mbi të gjitha nga shpenzimet konsumatore private dhe publike. Heqja e pothuajse të gjitha kufizimeve të Covid në fund të marsit rizgjoi dëshirën për të udhëtuar, sipas Destatis. Shpenzimet për shërbimet në fushën e strehimit dhe hotelerisë si dhe transportit u rritën ndjeshëm në tremujorin e dytë.
Tregtia me vendet e tjera gjithashtu është rritur në përgjithësi megjithëse në tremujorin e dytë, si rezultat i luftës në Ukrainë, eksportet e mallrave në Rusi ishin dukshëm më të ulëta se në fillim të vitit, kompanitë raportuan eksporte gjerësisht të qëndrueshme: pavarësisht nga ndërprerjet e zinxhirëve të furnizimit në mbarë botën, eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 0.3 për qind nga tremujori i parë. Megjithatë, importet u rritën me 1.6 për qind nga tremujori i kaluar.
Megjithatë, atmosfera në ekonominë gjermane është e keqe. Indeksi i klimës së biznesit Ifo ra në 88.5 pikë në gusht nga 88.7 pikë në korrik. Bizneset ishin më pak të kënaqura me biznesin aktual. Perspektiva për muajt e ardhshëm ka mbetur pothuajse e pandryshuar dhe dukshëm pesimiste. Pasiguria mes bizneseve mbetet e lartë. Sipas informacioneve nga Instituti Ifo në Mynih, performanca ekonomike pritet të tkurret sërish në tremujorin e tretë.
Gjermania me rritjen e saj të dobët ndodhet në vendet e fundit të eurozonës. Rritje dukshëm më të forta të PBB u regjistruan në disa vende, si Spanjë (1.1%) dhe Itali (1.0%).
Bundesbank-a pret që performanca ekonomike të “qëndrojë në vend” gjatë verës dhe të kalojë në recesion në dimër dimrit si rezultat i krizës së gazit. Lufta gjashtëmujore ruse kundër Ukrainës do të vazhdojë të rëndojë gjithashtu ekonominë gjermane për vitet në vijim, siç tha së fundmi kryetari i DIW Marcel Fratzscher në një intervistë me Reuters.
Pavarësisht rëndesave në lidhje me luftën në Ukrainë dhe pandeminë, deficiti publik gjerman ra ndjeshëm në gjysmën e parë. Deri në fund të qershorit, federata, landet, bashkitë dhe sigurimet shoqërore shpenzuan së bashku 13.0 miliardë euro më shumë se sa mblodhën, njoftoi të enjten Zyra Federale e Statistikave. Deficiti korrespondon me 0.7 për qind të prodhimit të brendshëm bruto. Në gjysmën e parë të vitit 2021, deficiti ende arriti në 75.6 miliardë euro, që korrespondonte me një normë deficiti prej 4.3 për qind. Bundesbank-a gjithashtu pret një deficit për të gjithë vitin, por ai pritet të jetë më i ulët se në vitin 2021, i cili ishte 3.7 për qind. Arsyeja për këtë është ulja e barrës tatimore për shkak të krizës së pandemisë.
E . S / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.