Ekskluzive/ Detajet për Regjistrin Unik të adresave – Dr. i Përgjithshëm i Gjendjes Civile: Adresari i ri në mujain Prill
Pas ndryshimeve ligjore në sistemin e adresave të miratura nga qeveria shqiptare, brenda muajit Mars, këto ndryshime pritet të miratohen në Kuvend dhe në muajin Prill të nisë puna me Adresarin e ri. Për SCAN TV, drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Vangjush Stavro, ka folur për detajet e këtij regjistri unik adresash.
“Aktualisht jemi në biesedime me disa institucione, kryesisht me OSHEE që të mundësojmë integrimin e sitemit të regjistrit të tyre me atë Kombëtar të adresave me qëllim që çdo kontratë e re që do regjistrohet, të ketë një adresë të saktë. Vetëm nëpërmjet këtij regjistri do të jetë zyrtar emri i një rruge në çdo bashki, nuk do të jetë as Google Maps, as ndonjë shërbim tjetër. Nuk parashikojmë kosto shtesë, por do të ketë në rast se nuk janë vendosur tabelat në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Sepse me ndryshimet ligjore ne mundohemi të trajtojmë disa plane, jo vetëm planin digjital, ku kemi Regjistrin Kombëtar të adresave, të cilit po i krijohet një fytyrë e re. Parashikojmë që të kemi edhe planin edukativ dhe informativ në terren. Synimi ynë është që ndryshimet të miratohen brenda muajit Mars dhe ne si Zyra e Përgjithshme e Gjendjes Civile, të dalim publikisht brenda muajit Prill me adresarin e ri, e më pas të vijojmë menjëherë me integrimin në shërbimet e tjera” – ka thënë Drejtori i Përgjithshëm Gjendjes Civile Vangjush Stavro.
Kodi Unik sipas kreut të gjendjes civile, do të ketë 2 versione, ai me kod të shkurtër dhe tjetri që të çon deri në destinacionin final, ndërsa ka përjashtuar kategorikisht mundësinë e manipulimit të ndërhyrjeve dubluese, pasi sipas tij kodi unik, nuk do të gjenerohet manualisht, por do të jetë me disa karaktere.
“Nuk do të jetë një kod unik që gjenerohet manualisht, por me një algoritëm që në momentin që do t’i gjenerohet kodi unik për të gjitha ndërtesat dhe apartamentet, edhe sikur të ekzistojë mundësia që të gjejë një të dytë, automatikisht do të ndalojë dhe do të vazhdojmë ta përmirësojmë. Kemi parë të gjitha mundësitë dhe kombinimet dhe duhet thënë se kodi nuk do të jetë me 2-3 shifra, por do të jetë relativisht me disa karaktere alfa-numerikë në mënyrë që të parashikojnë që mos arrihet asnjë kombinim për të adresuar të gjitha ndërtesat dhe apartamentet që ndodhen në një rrugë apo në një zonë të caktuar. Kjo është sfida që ne shohim për kodin unik, nuk mendojmë se ka vështirësi. Ai është një element që automatikisht brenda një nate do të gjenerohet, do të shfaqet në adresën e shtetasve”- shton Stavro, kreu i Gjendjes Civile në vend.
Stavro ka theksuar rëndësinë e këtij regjistri unik adresash, i cili sjell jo vetëm lehtësi për qytetarët dhe turistët, por edhe përfitim ekonomik.
Alida Lula /SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.