Energjia e erës në det të hapur – Japonia synon të bëhet prodhuesi nr.1 në botë
Një grup i kompanive japoneze, përfshirë njësitë e energjisë së erës të Mitsubishi, JERA dhe Tokyo Gas, kanë krijuar një shoqatë për të nxitur zhvillimin e fermave të erës në det të hapur dhe për të ngritur së bashku teknologjinë përkatëse.
Japonia synon të bëhet një prodhues i madh i energjisë së erës në det të hapur, me qeverinë që parashikon projekte 10 gigavat deri në vitin 2030 dhe deri në 45 gigavat deri në vitin 2040, si pjesë e shtytjes së saj të dekarbonizimit, për të cilën energjia e erës në det të hapur është thelbësore.
Grupi prej 14 kompanish tha se ata kanë krijuar Shoqatën e Kërkimeve të Teknologjisë së Erës në det të hapur për të realizuar komercializimin në një zonë të gjerë duke zhvilluar së bashku teknologjinë dhe krijuar standarde ndërkombëtare me organizatat jashtë vendit.
Prodhimi i energjisë në det të hapur shihet si një mënyrë që Japonia të ketë një furnizim të qëndrueshëm me energji dhe zhvillimi i saj gjithashtu do të stimulojë ekonominë lokale dhe promovojë industritë japoneze.
Ky zhvillim vjen pasi qeveria japoneze miratoi këtë javë një projekt-amendament në legjislacionin ekzistues për të lejuar instalimin e energjisë së erës në det të hapur në zonat ekskluzive ekonomike, një moment historik drejt objektivit të vendit për neutralitetin e karbonit deri në vitin 2050.
Dorian Koça/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.