Fermerët, kundër taksave dhe politikave të gjelbra – Itali, Francë, Gjermani dhe Rumani. Kërkohen më shumë subvencione nga qeveria
Protestat e fermerëve kanë shpërthyer në Rumani, Gjermani dhe Francë, përpara zgjedhjeve të BE-së që do të mbajen në qershor. Ndërsa kërkesat e tyre ndryshojnë në përgjithësi, ata pretendojnë se po marrin goditjen më të rëndë nga reformat mjedisore dhe se kanë nevojë për më shumë subvencione nga qeveria për t’i kompensuar ato.
Në Rumani, fermerët dhe kamionistët kanë bllokuar rrugët kryesore me traktorët dhe kamionët e tyre për një javë e gjysmë tashmë. Ata kërkojnë taksa më të ulëta dhe subvencione më të drejta, por deri më tani bisedimet me qeverinë kanë dështuar dhe ata po vazhdojnë të protestojnë. Ata janë gjithashtu të zemëruar për koston në rritje të sigurimit për makineritë e rënda.
Në Berlin fermerët u bashkuan me eko-aktivistët. Fermerët thonë se janë plotësisht në mbështetje të bujqësisë më miqësore me mjedisin, të pamodifikuar gjenetikisht, por për këtë, ata kanë nevojë për subvencione ose, të paktën, çmime të drejta të vendosura për produktet e tyre. Por ata thonë se qeveria ka hezituar të zbatojë masa të tilla pavarësisht se ia dorëzuan kërkesat e tyre ministrit të bujqësisë Cem Özdemir.
Fermerët kanë dalë në rrugë që nga dhjetori, kur qeveria federale ra dakord për një buxhet që anulonte subvencionet dhe përfitimet bujqësore disa dekadash. Këto mund t’i kishin kursyer fermerëve mbi 480 milionë euro. Më vonë, Berlini vendosi të zbusë planet, duke i bërë shkurtimet e përfitimeve graduale.
Në Francën jugore, protestat masive gjatë ditëve të fundit kanë detyruar qeverinë të adresojë çështjet e fermerëve. Më parë, fermerët u zotuan të bllokojnë disa autostrada derisa kryeministri i ri Attal të dëgjojë kërkesat e tyre.
Fermerët thonë se politikat e eko-tranzicionit të autoriteteve i bëjnë prodhuesit kombëtarë jo konkurrues. Jo vetëm që i bën fermat joprofitabile, por e detyron Francën të blejë produkte ushqimore nga vendet ku standardet mjedisore janë më të dobëta. Fermerët në Francë po protestojnë për çmimet e ulëta të blerjes së produkteve bujqësore dhe kërkojnë uljen e taksave, që janë kërkesat e fermerëve në mbarë Europën.
Ata bllokuan rrugët në disa pjesë të Francës javën e kaluar për shkak të taksës së qeverisë për karburantin e traktorëve, importeve të lira bujqësore dhe çmimeve të ulëta të blerjes. Qeveria njoftoi se dëshiron të dëgjojë mendimin e përfaqësuesve të fermerëve për të përfshirë masa shtesë për mbështetjen e sektorit në projektligjin për bujqësinë.
Ndërkohë dhe në Itali protesta e fermerëve është përhapur në të gjithë vendin. Pas grumbullimeve në Sicili, sipërmarrësit në sektorin e agrokulturës zbritën në rrugë në shumë rajone, nga veriu në jug. Në qendër të protestave janë politikat europiane për sektorin, në mënyrë të vecantë mbrojtja e ushqimeve sintetike dhe promovimi i produkteve si mielli i insekteve që nuk i përkasin traditës italiane. Por dhe shqetësimet për kostot në rritje të vazhdueshme.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.