Finlanda, anëtarja më e re e NATO-s, nënshkruan marrëveshjen e mbrojtjes me SHBA-në!
Anëtari më i ri i NATO-s, Finlanda, ka njoftuar se do të nënshkruajë një marrëveshje dypalëshe të bashkëpunimit të mbrojtjes javën e ardhshme me Shtetet e Bashkuara. Marrëveshja do të lejojë Uashingtonin të vendosë trupa dhe të ruajë armë brenda vendit nordik, i cili ndan një kufi të gjerë me Rusinë.
Ministrja e Jashtme finlandeze Elina Valtonen tha në një konferencë shtypi në Helsinki të enjten se ministri i Mbrojtjes Antti Häkkänen do të nënshkruajë të hënën të ashtuquajturën Marrëveshje të Bashkëpunimit të Mbrojtjes (DCA).
Pakti, i cili ende duhet të miratohet nga ligjvënësit finlandezë, “është shumë domethënës për mbrojtjen dhe sigurinë e Finlandës”, tha Häkkänen. “Kjo ka një mesazh shumë të fortë në këtë kohë. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për mbrojtjen tonë”, u tha Häkkänen gazetarëve.
Finlanda u bashkua me NATO-n në prill pas dekadash mos-angazhimi ushtarak, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022. Kombi prej 5.6 milionë banorësh ndan një kufi prej 1340 kilometrash me Rusinë që përbën një pjesë të rëndësishme të krahut verilindor të NATO-s. Ai është gjithashtu kufiri i jashtëm i Bashkimit Evropian në veri.
Sipas marrëveshjes, Finlanda do t’u lejojë ushtarëve amerikanë akses në 15 zona dhe objekte ushtarake që mbulojnë të gjithë vendin nordik. Ato variojnë nga një bazë kyçe detare jugore dhe baza ajrore në brendësi të tokës deri në një zonë të madhe të largët të stërvitjes së ushtrisë në Lapland, në veriun e Arktikut.
Trupat amerikane u lejohet prania e përhershme dhe ushtrimet e rregullta në Finlandë, por nuk ka plane për të krijuar baza të përhershme ushtarake amerikane në Finlandë, thanë zyrtarët. Disa vende të NATO-s kanë aktualisht marrëveshje të ngjashme dypalëshe të mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara.
Javën e kaluar, fqinji i ngushtë nordik i Finlandës, Suedia, e cila është në prag të anëtarësimit në NATO, nënshkroi një marrëveshje të krahasueshme. Anëtarja e Aleancës Danimarka pritet ta bëjë këtë në të ardhmen e afërt.
Edel Strazimiri / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.