Forcohen lidhjet me doganat italiane e Guardia di Finanza – Komision i përbashkët për monitorimin e bashkëpunimit
Administrata doganore shqiptare dhe homologia italiane, së bashku me Guardia di Finanza do të rrisin më tej nivelin e bashkëpunimit. Ministri i Financave, Ervin Mete, zhvilloi një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Doganave dhe Monopoleve të Italisë dhe Komandantin e Përgjithshëm të Guardia di Finanza. Qëllimi ishte diskutimi i bashkëpunimit mes institucioneve të dy vendeve.
Në mënyrë të veçantë, palët biseduan mbi lehtësimin e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve, përputhjen e procedurave doganore me standardet e Bashkimit Europian, rritjen e mëtejshme të sigurisë ndërkufitare dhe luftën kundër aktiviteteve të paligjshme.
Ministri Mete shprehu angazhimin e Ministrisë së Financave dhe institucioneve të saj për të rritur nivelin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Italisë.
Në këtë kuadër, Ministri vlerësoi si një zhvillim pozitiv nënshkrimin e Memorandumit mes Administratës Doganore Shqiptare, asaj Italiane dhe Guardia di Finanza për vënien në funksion të Komisionit të Përbashkët Doganor Italo-Shqiptar, si një instrument për forcimin e lidhjeve, shkëmbimin e informacionit dhe lehtësimin e dialogut ndërmjet Administratave Doganore të Italisë dhe Shqipërisë.
Komisioni do të kryejë monitorimin e bashkëpunimit mes administratave doganore të dy vendeve dhe ndërmarrjen e nismave të përbashkëta në kuadër të përafrimit të procedurave dhe legjislacionit me standardet dhe kuadrin ligjor të Bashkimit Evropian.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.