Formula e re për pronat, penalizohen 1480 familje – Zbardhet raporti i Agjencisë së Trajtimit të Pronave për vitin 2023
Zbardhet raporti i Agjencisë së Trajtimit të Pronave për vitin 2023. Pas rivlerësimit të bërë, bazuar në zërin kadastral aktual, janë penalizuar 1480 ish-pronarë. Me skemën e re, këto familje dalin “duarbosh” nga procesi, ç’ka do të thotë se konsiderohen të kompensuara. Ndërkohë, janë 1253 pronarë të cilët pas rivlerësimit ju krijohet mundësia që të marrin deri në 10 për qind të vlerës që ka prona e tyre sot në treg.
“ATP ka konstatuar 3758 vendime me të drejtë kompensimi qëpreken nga ndryshimet ligjore, fatura financiare e të cilëve arrin në rreth 15 miliardë lekë (15,015,520,688.88) nga të cilat:
- 1025 vendime të njohura për kompensim me vlerë pozitive. Vlera e publikuar për këto vendime para ndryshimeve ligjore ishte 2,209,000,380.13 lekë dhe shkon në 6,897,168,379.95 lekë.
- 1253 vendime të njohura për kompensim të cilat sipas ligjit nr. 133/2015 konsideroheshin të ezauruara dhe që sipas formulës së re të ligjit, marrin vlerë pozitive me një faturë financiare rreth 10 miliardë lekë.
- 1480 vendime, për të cilat subjekti konsiderohet i kompensuar (me vlerë negative) dhe rezulton po i tillë edhe sipas formulës së re (thjesht zvogëlohet vlera negative)” thuhet në raport.
Prej muajit nëntor procesi i kompensimit është pezulluar nga Gjykata Kushtetuese pas padisë së depozituar nga Komuniteti Mysliman.
Fondi i miratuar nga buxheti i shtetit në dispozicion të ATP-së për vitin 2023 ishte 3.5 miliardë lekë nga i cili janë shfrytëzuar 1.16 miliardë lekë. Në momentin e pezullimit të ligjit 77/2022 nga Gjykata Kushtetuese në dt.08.11.2023, ATP kishte në proces përpunimi 1 634 dosje për kompensim, me një vlerë totale prej 5.45 miliardë lekë. Mbas njoftimit për pezullimin nga Gjykata Kushtetuese, ATP ndërpreu punën lidhur me dosjet e sipërcituara, rrjedhimisht fondi i mbetur prej 2.34 miliardë lekë mbeti i pashpenzuar”, theksohet më tej në dokument, ku vhet në dukje edhe numri i ulët i aplikimeve dhe përfituesve. Kështu përgjatë vitit që lamë pas kanë dorëzuar kërkesë për kompensim vetëm 329 kërkesa nga të cilat janë ekzekutuar vetëm 9 prej tyre.
Ada Hazizolli/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.