Gati mbështetja e granteve për idetë novatore – Nga vetëdeklarimi deri te pasaporta e start up-eve, cilat janë kriteret?
Është botuar në fletoren zyrtare vendimi ku janë përcaktuar kriteret dhe kërkesat që duhet të plotësojnë start up-et. Në kriteret e përgjithshme për përfitimin e grantit, përfitues do të jenë ata të cilët janë të vetëdeklaruar në regjistrin elektronik të start up-ve dhe janë të pajisur me pasaportë përkatëse.
Por çfarë duhet të përmbushësh që të mbështetesh me grant start up?
Si fillim duhet të kenë përfunduar vetëdeklarimin në regjistrin elektronik të start up-eve, si dhe përpara aplikimit të kenë pasaportën e start up.
Ndërkohë start up-et përzgjedhin fazën aktuale të zhvillimit të specifikuar nëpërmjet formave të aplikimit. Në fazën fillestare, mund të jenë individë privatë, vendas ose të huaj, përfshirë dhe nomadët digjital, të cilët kanë plan të vijojnë operacionet e biznesit në Shqipëri.
Në fazën e validimit dhe fazën e rritjes duhet të jenë biznes i regjistruar ligjërisht në regjistrin tregtar të Republikës së Shqipërisë dhe jo më të vjetër se 6 vjet në kohën e kërkesës. Ndërkohë një kërkues nuk mund të aplikojë më shumë se një herë për të njëjtën thirrje.
Ndërsa përsa i përket disbursimit të grantit për projektet e shpallura fituese bëhet deri në 3 këste pas përfundimit të periudhës së mbylljes së çdo faze të projektit, kundrejt dorëzimit të faturës/ave të shpenzimeve të kryera dhe dokumentacionit të kërkuar, sipas procedurave dhe kritereve të përcaktuara në rregullore.
Start up-eve dhe lehtësuesve iu ndahet fondi për projektin në 3 këste, ku i pari do të jetë 30% të vlerës së fondit menjëherë pas nënshkrimit të kontratës së grantit, kësti i dytë 40% të vlerës. Ndërsa kësti i fundit 30% të vlerës së fondit pas miratimit nga Start Up Albania të raportit përshkrues dhe financiar përfundimtar.
Diamila Leka/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.