Gjermanët nuk duan të dalin në pension! – Personat e moshës 63-67 vjeç zgjedhin të qëndrojnë në punë
Në Gjermani, gjithnjë e më pak njerëz vendosin të dalin në pension. Personat e moshës 63 deri në 67 vjeç gjithnjë e më shpesh zgjedhin të punojnë, sipas të dhënave zyrtare të qeverisë.
Gjermanët e lindur pas vitit 1964 kanë të drejtë për dalje në pension në moshën 67 vjeç. Ekziston edhe mundësia e pensionit të parakohshëm, duke filluar nga 63 vjeç, por më pas përfitimet janë më të vogla.
Të dhënat tregojnë se numri i të punësuarve në grupmoshën 63 deri në 67 vjeç, të cilët ende paguajnë kontribute për sigurimet shoqërore dhe që janë të punësuar edhe me orar më të shkurtër pune është rritur vazhdimisht nga 1.31 milionë në 2020 në 1.67 milionë vitin e kaluar. Nga ajo grupmoshë, 1.52 milionë gjermanë ishin të punësuar në vitin 2022.
Shifrat zyrtare u paraqitën nga qeveria në përgjigje të një pyetjeje nga deputetët e së majtës në parlament. Këta të fundit komentuan se ka kërkesa të vazhdueshme për rritjen e moshës së pensionit, heqjen e të ashtuquajturit pension në 63 vjeç, si dhe të ashtuquajturin “pension fleksibël”. Megjithatë, ata theksuan se punësimi i të moshuarve është një fenomen gjithnjë e më i zakonshëm.
Në Gjermani, ka pasur një debat të gjatë rreth asaj se çfarë duhet bërë me plakjen e shpejtë të popullsisë dhe mungesën e fuqisë punëtore. Sindikatat dhe politikanët me prirje të majtë kundërshtojnë propozimet për të rritur moshën e pensionit, ndoshta edhe në 70 vjeç.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.