Gjermania investon për hidrogjenin e gjelbër – Rreth 3.7 miliardë euro për importet e së ardhmes
Gjermania do të parashikojë deri në 3.7 miliardë euro fonde publike për të prokuruar hidrogjenin e gjelbër dhe derivatet e tij midis 2027-ës dhe 2036-ës. Lajmi u konfirmua nga ministria e ekonomisë, ndërsa Berlini mbështetet gjithnjë e më shumë tek karburanti neutral ndaj klimës për të dekarbonizuar ekonominë më të madhe të Evropës.
Në deklaratën për media, ministria gjermane e ekonomisë shpjegon se qëllimi i masës së financimit është bashkimi i ofertës dhe kërkesës, si në sasi ashtu edhe në çmime. Paratë do të vijnë nga Fondi i qeverisë për Klimën dhe Transformimin.
Gjermania po kërkon të zgjerojë varësinë nga hidrogjeni si një burim i ardhshëm energjie për të ulur emetimet e gazeve serë për sektorët industrialë shumë ndotës që nuk mund të elektrizohen si çeliku dhe kimikatet dhe të ulë varësinë nga karburantet fosile të importuara.
Berlinit do t’i duhet të importojë deri në 70% të kërkesës së tij për hidrogjen në të ardhmen pasi ekonomia më e madhe e Europës synon të bëhet neutrale ndaj klimës deri në vitin 2045, sipas strategjisë qeveritare të hidrogjenit të publikuar verën e kaluar.
Fondet e dedikuara do të përdoren për të kompensuar diferencën midis çmimeve të ofertës dhe kërkesës, tha ministria, duke shtuar se po diskutonte detajet e përdorimit të financimit të ri me Komisionin Europian.
Në një përpjekje për të përshpejtuar rritjen e tregut global të hidrogjenit të gjelbër dhe për të rritur investimet, qeveria nisi projektin H2Global në 2021-shin duke përdorur një ‘ankand të dyfishtë’. Sipas skemës, hidrogjeni ose derivatet e hidrogjenit blihen me çmim të ulët në tregun botëror dhe i shiten ofertuesit më të lartë.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.