Greqi: Llogaritjet e para nxjerrin partinë Nea Demokratia fituese!
Në zgjedhjet e dyta parlamentare në Greqi brenda 5 javësh sipas prognozave të para partia konservatore e kryeministrit, Mitsotakis, Nea Demokratia ka fituar zgjedhjet parlamentare.
Sipas llogaritjeve të para partia konservatore, Nea Demokratia kryeson rezultatet e zgjedhjeve në Greqi. Ishin zgjedhjet e dyta parlamentare në Greqi brenda 5 javësh, Sipas prognozave të para partia konservatore e kryeministrit, Mitsotakis duket të marrë 40,4% të votave. Kurse partia Syriza e ish-kryeministrit, Aleksis Tsipras sipas llogaritjeve të para ka arritur 17,8% të votave. Rezultatet përfundimtare nuk janë publikuar ende.
Që para zgjedhjeve të dielën partia konservatore e kryeministrit, Kyriakos Mitsotakis konsiderohej me shanse shumë të mira për një mandat tjetër nga zgjedhësit. Partia kryesore opozitare, ajo e majtë, Syriza e ish-kreut të qeverisë, Aleksis Tsipras ndodhej në sondazhe shumë më pas se partia Nea Demokratia.
Zgjedhjet e reja u bënë të nevojshme, sepse partitë pas pesë javësh zgjedhje nuk arritën të krijonin një koalicion qeverisës. Në zgjedhjet e 21 Majit, partia e Mitsotakis, Nea Demokratia doli kryesuese dhe arriti të marrë 40,8 të votave, por humbi shumicën absolute. Të dielën aplikohet në Greqi një e drejtë e re zgjedhore, sipas së cilës partisë më të fortë në zgjedhje i jepen edhe 50 vende plus. Prandaj Mitsotakis e paraqet veten si fitimtar të sigurt dhe shpreson të arrijë shumicën absolute.
Partia kryesore opozitare Syriza shpreson ende për një shans. Luftojmë deri në minutën e fundit për një rezultat të suksesshëm, tha ish-kryeministri, Tsipras. Syriza në zgjedhjet e 21 majit mori 20% të votave. Në fushatën e fundit, Tsipras u përpoq të bëjë për vete votuesit me premtime të reja sociale, si rroga më të larta dhe pensione më të mira. Ai premtoi të ulë tvsh-në mbi artikujt ushqimorë dhe benzinën.
E . S / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.