Kalohet procedura e fundit për emigrantët me Italinë – Kuvendi i Shqipërisë miraton marrëveshjen. Pritet zbatimi i saj
Pas një periudhe rreth 4 mujore, tashmë protokolli ndërmjet qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Italisë “Për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit”, pritet të nisë nga zbatimi. Në një seancë të trazuar nga protestat e opozitës, 77 deputetë të shumicës parlamentare i thanë PO marrëveshjes dypalëshe.
Ishte 6 nëntori 2023, kur gjatë një vizite në Romë, Kryeministri Edi Rama dhe homologia italiane, Giorgia Meloni, nënshkruan protokollin. Që nga ajo datë e deri më sot, u desh një rrugëtim me debate dhe ndonjë pengesë. Opozitat në dy vendet e kundërshtuan që në fillim marrëveshjen, ndërkohë, rreth një muaj pas nënshkrimit të saj Gjykata Kushtetuese në Shqipëri vendosi pezullimin pas kërkesës së opozitës, e cila ndër të tjera argumentonte shkeljen e të drejtave të njeriut në territorin e Shqipërisë. Ndërkohë, më 29 janar Kushtetuesja me shumicë votash i hapi “dritën jeshile marrëveshjes, vendim I cili u zbardh vetëm në fillim të kësaj jave.
Por, çfarë parashikon kjo marrëveshje dypalëshe? Emigrantët që shpëtohen në Detin Mesdhe dhe kërkojnë azil në Itali do të strehohen në Shqipëri, ndërsa Italia financon për ngritjen e qendrave për pritjen e tyre. Italia depoziton 16.5 milionë euro në një llogari të posaçme në Thesarin e Shqipërisë, si paradhënie për strehimin e migrantëve. Nëse Italia i refuzon kërkesat për azil, Shqipëria i dëbon emigrantët, ndërsa fëmijët dhe gratë shtatzëna përjashtohen nga marrëveshja.
Italia financon rreth 30 milionë euro për ndërtimin e dy qendrave në Shqipëri, të cilat mund të mbajnë deri në 3.000 migrantë në të njëjtën kohë, ose deri në 36.000 në vit. Njëra nga qendrat do të ngrihet në portin e Shëngjinit, ndërsa tjetra, 20 kilometra në brendësi të tokës, në zonën e Gjadrit dhe konsiderohen si “zona kufitare apo tranzite”. Shqipëria ofron masa të sigurisë në qendrat përkatëse nën juridiksionin italian.
Në portin e Shëngjinit, Italia do të kujdeset për procedurat e zbarkimit dhe identifikimit dhe do të krijojë një qendër pritjeje dhe depistimi të parë. Parashikohet që kjo qendër të ketë një perimetër afërsisht 240 metra. Ndërsa, pritja dhe akomodimi i emigrantëve do të bëhet në një sipërfaqe toke prej 77.700 metër katror në Gjadër.
Marrëveshja parashikohet të zgjasë të paktën 5 vjet, duke e çuar shumën e pagesave në 82 milionë euro e rinovueshme për 5 vite të tjera, ndërkohë që në llogaritë e shtetit shqiptar duhet të derdhet edhe një fond garancie prej 100 milionë euro. Për vitet në vijim, çdo 6 muaj qeveria shqiptare do t’i japë qeverisë italiane listën e shpenzimeve, duke kërkuar rimbursim.
Pala shqiptare ruan të drejtën që të ripërtërijë ose jo protokollin në fund të afatit pesëvjeçar të saj, si dhe ta zgjidhë atë, por duke lajmëruar 6 muaj përpara përfundimit të afatit 5-vjeçar.
Dorian Koça/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.