Konferenca e DPPI për 30-vjetorin – Zv.Ministrja Xhemali: Pronësia Industriale, me rëndësi për mbrojtjen e biznesit dhe zhvillimin e ekonomisë
Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale (DPPI), me rastin e 30 vjetorit të krijimit të saj, ka organizuar në Tiranë një konferencë ndërkombëtare.
Me tematikën “Gratë dhe tradita, inovacioni, kreativiteti dhe sipërmarrja”, ky aktivitet u zhvillua në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Pronësisë Intelektuale (WIPO) dhe Zyrën Evropiane të Patentave (EPO).
Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë Adela Xhemali, gjatë fjalës së saj tha se përmes Pronësisë Intelektuale synohet të stimulohet zhvillimi ekonomik, shkencor dhe kulturor. Kjo ndikon në funksionimin e përshtatshëm të tregut të brendshëm, duke vendosur ekuilibrin e duhur ndërmjet të drejtave dhe interesave të përdoruesve, si dhe duke forcuar sistemin e regjistrimit të objekteve.
“Vlerësojmë maksimalisht bashkëpunimin me organizatat partnere që kanë një rol shumë të rëndësishëm në rrugëtimin drejt standardeve europiane. Ndër vite, fusha e Pronësisë Industriale ka pësuar ndryshime rrënjësore, duke ndikuar në rritjen e avantazheve konkurruese, mbrojtjen e biznesit, zgjerimin drejt tregjeve, krijimin e vendeve të reja të punës dhe si rrjedhim edhe në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto”, tha Xhemali.
Gjatë viteve të fundit, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale kanë rritur ndërgjegjësimin dhe informimin mbi rëndësinë e zhvillimit të kësaj fushe, duke bërë që të arrihen rezultate pozitive.
Në 5 vitet e fundit, aplikimet për Marka Tregtare janë rritur me 28%, aplikimet për patenta me 52% dhe aplikimet për dizenjo industriale me 140%. Nga 6,184 aplikime për marka në 5-vjeçarin e fundit, 35% janë realizuar nga gratë sipërmarrëse.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.