Korsi të dedikuara për urbanët në Tiranë – Hapet tenderi 129.2 mln lekë, ja akset ku do ndërhyhet
Stacionet e linjave të urbanëve “Kinostudio – Kombinat”, “Tirana e Re” dhe “Unaza” do të rehabilitohen, ndërkohë që në disa segmente rrugore do ndërtohen korsi të dedikuara për autobusët. Bashkia e Tiranës ka hapur tenderin me vlerë 129.2 mln lekë për ndërtimin e tyre, si dhe rehabilitimin e stacioneve të autobusëve në zonën qendrore të Tiranës, ku përqëndrimi i udhëtarëve dhe kërkesa për transport është më e madhe.
Referuar dokumenteve të tenderit, projekt zbatimi i korsive të dedikuara për autobus përfshin unazën e mesme, nga kryqëzimi i “Brrylit” deri te ura “Vasil Shanto” në të dyja anët e lumit “Lana”, rrugën e “Kavajës”, në segmentin nga sheshi “Mustafa Qemal Ataturku” – kryqëzimi me “Ibrahim Rugova”, si dhe rrugën “Muhamet Gjollesha” në segmentin nga ura “Vasil Shanto” – sheshi “Karl Topia”.
Sipas bashkisë, krijimi i infrastrukturës për shtrirjen e korsive të dedikuara për shërbimin e transportit qytetës, optimizimi i ndalesave të autobusëve urban dhe informatizimi i tyre kanë për qëllim përmirësimin e cilësisë së jetesës së komunitetit të qytetit të Tiranës.
Ndërkaq, sa i takon gjendjes aktuale theksohet se në stacionet e urbanëve mungojnë tabelat informuese për qytetarët. Ndërkohë që, në mungesë të një korsie të dedikuar për autobusët krijohen vonesa në frekuencën e urbanëve, trafik dhe tejmbushje e tyre.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.