Leku i fortë përmirëson treguesit e riskut të borxhit – Ecuri pozitive e rifinancimit, maturimit dhe kursit të këmbimit
Përtej lehtësimit të borxhit për shkak të zhvleftësimit të euros, mbiçmimi i monedhës tonë kombëtare ka përmirësuar dukshëm edhe treguesit e risqeve të borxhit publik gjatë vitit që sapo lamë pas. Në përmirësim vijnë treguesit e rëndësishëm që lidhen me risqet e rifinancimit si dhe riskun e normave të interesit.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, Borxhi që rifiksohet brenda 1 viti ka rënë në 45.4% përgjatë vitit 2023 nga 49.0% një vit më parë. Po ashtu, sa i përket riskut të rifinancimit, Borxhi që maturohet brenda 1 viti rezulton në 2023 në nivelin 44.7% nga 49.0% në 2022.
Ndërkaq, risku i kursit të këmbimit nga 46.8% në vitin 2022, ka rënë në 45.4% gjatë vitit të shkuar. Treguesit e riskut parashoikohen në përmirësim mëtjeshëm gjatë 2024, për shkak të forcimit të lekut por edhe strategjive të menaxhimit të borxhit publik të cilat parashikojnë shlyerje masive principali në vitet në vijim.
Borxhi publik ka rënë nën nivelin 60% të Produktit të Brendshëm Bruto për herë të parë që nga viti 2012, kur Qeveria e atëhershme ndërhyri në ligj për të hequr këtë kufi. Stoku i borxhit publik ka zbaritur në fund të vitit të shkuar në nivelin 59.22% të Produktit të Brendshëm Bruto.
Ulja rekord i detyrohet në masë të madhe rritjes së ndjeshme të Produktit të Brendshëm Bruto për shkak të prurjeve të larta buxhetore, por edhe rënies së borxhit në terma nominale, veçanërisht në peiudhën e fundit të vitit që sapo lamë pas.
Në fund të vitit 2023, stoku i borxhit publik rezulton 1,368 trilionë lekë, 0.6% më pak se në fund të vitit 2022 kur stoku ishte 1,378 trilionë lekë. Ndërkaq, Produkti i Brendshëm Bruto raportohet në fund të vitit 2023 në vlerën 2.3 miliardë lekë, nga 2.1 miliardë një vit më parë.
Ka qenë gjysma e dytë të vitit 2023 periudha në të cilën parametrat e borxhit kanë njohur përmirësim të ndjeshëm, pas një rritje të ndjeshme në gjashtëmujorin e parë kryesisht për shkak të eurobondit prej 600 milionë eurosh të metuar nga qeveria në muajin qershor.
Nga 1.376 trilionë lekë në tremujorin e parë të vitit, stoku i borxhit u rrit në 1.410 trilionë në fund të tremujorit të dytë, duke nisur që prej atij momenti një rënie graduale prej përkatësisht 1.393 trilionë dhe 1.368 trilionë në dy tremujorët pasues.
Lorenc Rabeta/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.