Pagesat për energjinë e rinovueshme – Furnizuesit, “rezerva” për draft metodologjinë: Duhet të përmirësohet!
Shoqata Shqiptare e Furnizuesve të Energjisë Elektrike kërkon përmirësimin e draft metodologjisë mbi përcaktimin e detyrimit për energjinë e rinovueshme për t’u paguar nga konsumatorët fundorë të energjisë elektrike, të nxjerrë për konsultim publik nga Enti Rregullator i Energjisë.
Sipas shkresës së dërguar pranë ERE-s, një nga kundërshtimet kryesore lidhet me detyrimet për të depozituar pranë organit përkatës parashikimet vjetore për vëllimet e energjisë elektrike që pritet të prodhohen apo furnizohen.
Sipas shoqatës, këto kërkesa janë të paaplikueshme, ndërsa parashikimet do të ishin jo realiste përsa kohë prodhuesit varen nga kushtet hidrike. Po ashtu, ata kundërshtojnë pikën ku parashikohet vendosja e parapagesave mujore, tremujore apo vjetore ndaj tyre, nëse Operatori i Energjive të Rinovueshme ka pamundësi fondesh.
Në shkresë furnizuesit shpjegojnë se ky do ishte rasti i parë në botë, që do detyronte furnizuesit të paguanin parapagesa, të llogaritura vetëm në parashikime subjektive. Në qëndrimin e tyre, Shoqata kundërshton edhe disa parashikime që lidhen me rekuperimin e pagesave nga furnizuesit e falimentuar apo rakordimin e diferencave mes parashikimit dhe realizimit.
Për secilin prej qëndrimeve Shoqata ka paraqitur edhe propozimet e saj, për përmirësimin e metodologjisë finale. Dokumenti i nxjerrë për konsultim nga ERE është detyrim i ligjit të ri të burimeve të rinovueshme, që trajton në mënyrë të drejtë kostot e detyrimit te burimeve të rinovueshme tek të gjithë konsumatorët.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.