“Mirësevini” në vendin pa para cash! – Në Suedi, transporti publik, muzetë dhe dyqanet nuk pranojnë më para në dorë
Në Suedi portofoli dhe paratë cash nuk hyjnë në punë pothuajse për asgjë. Vendi nordik është shumë pranë braktisjes totale të kartmonedhave dhe monedhave. Vendi më pranë saj në këtë drejtim është vetëm Norvegjia. Hekurudhat, transportet publike, muzetë por dhe dyqanet – përfshi zonat më të thella – refuzojnë paratë në dorë. Pagesat kryhen të gjitha me kartë ose me aplikacine të caktuara në celularë.
Tabelat ku shkruhet: “Nuk pranohen para cash” janë pothuajse kudo. Faqja e internetit “Visit Stockholm” paralajmëron turistët – veçanërisht të huajt – se nuk është e mundur të paguajnë biletat e autobusëve me para në dorë. Hekurudhat shtetërore në fakt nuk pranojnë para cash. Mediat në vend raportojnë mbi fenomenin dhe përshkruajnë Stokholmin, Goteborgun dhe Malmö-n si komunitete praktikisht pa para, ndërsa në qytetet më të vogla dhe rajonet bujqësore përdorimi i monedhave dhe kartëmonedhave është ende relativisht i shpeshtë.
Ndër veçoritë lokale është dhe fenomeni Swish. Aplikacioni i krijuar në vitin 2012 nga bashkëpunimi midis gjashtë bankave të mëdha suedeze, nën kujdesin e Riksbank, banka qendrore e Stokholmit, lejon edhe transferta minimale – në formën e transfertave bankare – përmes smartphone. Në vend përdoret dhe vlerësohet aq shumë sa ka gjeneruar një folje, swisha, “swishare”. Shumë i dashur nga të rinjtë, lejon, për shembull, një grup miqsh të shkojë në një restorant, të paguajë me kartë dhe të ndajë shpenzimet me qetësi. Por mund të përdoret vetëm nga ata që kanë një llogari bankare në Suedi. Një tjetër mënyrë tipike pagese brenda dhe përreth Stokholmit, është ID-ja e Bankës, identiteti dixhital bankar.
Sondazhet dhe numrat e përmendur në raportin dyvjeçar mbi mënyrat e pagesave të miratuara në Suedi, publikuar nga Riksbank, zbulojnë se në vitin 2020 në një kampion prej 2 mijë personash të moshës 18-80 vjeç, 92% u përgjigjën se kishin përdorur karta.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.