Nafta Brent, pranë 87 USD për fuçi – Mundësitë për një recesion në SHBA kufizojnë fitimet
Nafta po tregtohet e qëndrueshme në sesionin e sotëm, pas fitimeve të realizuara në dy sesionet e fundit. Çmimet po gjenden nën presion për shkak të një recesioni të mundshëm në SHBA dhe dobësimit të kërkesës për naftë. Brenti i Londrës po tregtohet pranë 87 dollarëve për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet pranë 81 dollarëve për fuçi.
Të dyja kontratat u rritën me rreth 2% në sesionin e kaluar, duke prekur nivelin më të lartë në 1 muaj, pas publikimit të të dhënave mbi inflacionin në SHBA, që treguan një ngadalësim të rritjes së çmimeve.
Megjithatë, shtrëngimi i politikave monetare mund ta çojë ekonominë amerikane drejt një recesioni, më vonë gjatë këtij viti. Referuar të dhënave të tjera, rezervat e naftës në SHBA u rritën me 597 mijë fuçi, gjatë javës së kaluar, njoftoi Administrata për Informimin mbi Energjinë. Analistët parashikonin një rënie të rezervave me 600 mijë fuçi.
Ndërkohë, drejtori ekzekutiv i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol paralajmëroi se vendimi i OPEC+ për të ulur prodhimin mund të ndikojë në rritjen e mëtejshme të çmimeve, gjatë këtij viti.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.