Nafta e nis javën në rënie – Investitorët, të shqetësuar për ngadalësimin e kërkesës
Nafta po qëndron në rënie, në sesionin e parë të javës, pas fitimeve të konsiderueshme të premten. Zyrtarët në Kinë përgënjeshtruan lajmin se do të lehtësojnë rregullat kundër Covid-19, që ka zbehur shpresat për rimëkëmbjen e kërkesës në importuesin më të madh të naftës në botë. Nafta Brent e Londrës ka humbur mbi 1 dollar dhe po tregtohet në rreth 97 dollarë për fuçi.
Nafta bruto amerikane po tregtohet në rreth 91 dollarë për fuçi, në rënie me rreth 1.2 dollarë. Gjithashtu, edhe një forcim i lehtë i dollarit amerikan në sesionin e sotëm, po ushtron presion mbi çmimet.
Katër politikëbërës të Rezervës Federale në SHBA sinjalizuan se mund të konsiderojnë një rritje më të ngadaltë të interesave, pavarësisht të dhënave pozitive mbi punësimin. Javën e kaluar, ndërkohë, nafta Brent u rrit me 2.9%, ndërsa nafta Bruto amerikane u rrit me 5.4%.
Investitorët janë të shqetësuar për tkurrjen e furnizimit të tregut, sidomos pas vendimit të Bashkimit Europian për të vendosur ngë embargo të plotë ndaj naftës ruse, që hyn në fuqi më 5 dhjetor. Referuar të dhënave të tjera, rafineritë e naftës në SHBA po punojnë me rreth 90% të kapacitetit të tyre.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.