Nafta, në rënie të lehtë – Rritja e infektimeve me Covid-19 në Kinë mund të dëmtojë kërkesën
Nafta po qëndron në rënie në sesionin e sotëm, për shkak të shqetësimeve se rritja e infektimeve me Covid-19 në Kinë, që është importuesja më e madhe e naftës në botë, mund të dëmtojë rimëkëmbjen ekonomike, pavarësisht angazhimit të autoriteteve për të lehtësuar masat. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 83 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 79 dollarë për fuçi.
Të dy bençmarkët prekën nivelin më të lartë në 3 javët e fundit, në sesionin e kaluar, pas lajmeve se Kina do të heqë karantinën për udhëtarët e huaj duke filluar nga 8 janari, një vendim i rëndësishëm drejt hapjes së kufijve. Por, spitalet në Kinë po gjenden nën presion intensiv, për shkak të rritjes së infektimeve, pavarësisht se numri i viktimave është i ulët.
Referuar zhvillimeve të tjera, rafineritë amerikane po punojnë për të rifilluar operacionet e tyre, pas të ftohtit ekstrem që përfshiu Shtetet e Bashkuara. Gjatë kësaj jave, çmimet janë mbështetur edhe nga vendimi i Rusisë për të ndaluar shitjen e naftës ndaj vendeve të G7-ës, duke filluar nga 1 shkurti, në shenjë hakmarrjeje ndaj vendosjes së tavanit mbi çmimet.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.