Ndryshimet klimatike, shqetësim për furnizimin me ujë – Thatësirat, ERRU dhe AKUK: Duhen sisteme digjitale për monitorimin e rezervave
Ndryshimet klimatike po kthehen në shqetësim për rezervat ujore që përdoren nga shoqëritë e ujësjellësve për furnizimin e banorëve me ujë. Në një publikim të përbashkët të kreut të Entit Rregullator të Ujit, Ndriçim Shani dhe kreut të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizime, Klevis Jahaj theksohet se krahas përmbytjeve, gjithnjë e më shpesh thatësirat e tej zgjatura, po krijojnë probleme tek rezervat ujore.
Kjo duke marrë më konsideratë se 75 % e kërkesës për ujë që kanë ujësjellësit mbulohet nga basenet nëntokësore ujore dhe burime malore, ndërsa pjesa tjetër që përfshin Tiranën mbulohet me basene sipërfaqësore.
Në këtë situatë, sipas tyre lind si domosdoshmëri një monitorim i plotë dhe i vazhdueshëm i baseneve ujore nëntokësore dhe i burime malore, ku në rastet e rezultateve të niveleve shqetësuese të këtyre rezervave, masat për përballimin e tyre duhet të jenë pjesë e Planeve të Menaxhimit të Riskut, që duhet t’i disponojnë shoqëritë e ujësjellës – kanalizimeve.
Për këtë qëllim, në të gjitha basenet ujore nëntokësore dhe malore duhet të instalohen sisteme piezometrike me sensorë apo thënë ndryshe sisteme të digjitalizuar, që duhet të monitorojnë online këto rezerva ujore që duhet të kryhen nga Zyrat e Administrimit të Baseneve Ujore.
Ndërkohë që, konstatimi i uljes së niveleve të tyre nën, ose afër niveleve kritike të përcaktuara për shfrytëzim duhet të përbëjë një sinjal alarmi për të ndërmarrë më tej masat përkatëse për përballimin e kërkesës për ujë. Ndërkaq, AKUK e ka një nga përparësitë e saj për t’i mbështetur edhe me fondet përkatëse që shoqëritë Rajonale UK të hartojnë një strategji dhe të realizojnë në praktikë transformimin digjital.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.