Pagesa për energjinë e rinovueshme – Dokumenti: Në faturë për çdo konsumator. FTL të shesë në bursë energjinë e HEC-eve
Enti Rregullator i Energjisë ka nxjerrë për konsultim publik metodologjinë mbi përcaktimin e detyrimit për energjinë e rinovueshme për t’u paguar nga konsumatorët fundorë të energjisë elektrike.
Ky dokument, është detyrim i ligjit të ri të burimeve të rinovueshme, që trajton në mënyrë të drejtë kostot e deryrimit te burimeve të rinovueshme tek të gjithë konsumatorët. Referuar dokumentit, energjia e prodhuar nga prodhuesit me përparësi të energjisë elektrike do të blihet nga Operatori i Energjisë së Rinovueshme dhe do të shpërndahet direkt në tregun e organizuar, apo thënë ndryshe në Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike.
Ndërkaq, duke marrë në konsideratë se Operatori, nuk është ngirtur ende, këtë rol do e luajë furnizuesi i tregut të lirë, që është pjesë e OSHEE Group. Po ashtu, sipas metodologjisë, çdo faturë e energjisë elektrike e një konsumatori fundor do të përfshijë detyrimin e energjisë së rinovueshme të faturuar.
Kjo pagesë është e përfshirë edhe aktualisht në faturat e energjisë elektrike, por tashmë detyrimin do e kenë edhe bizneset që kanë dalë në treg të lirë energjie. Sipas legjilacionit në fuqi, prodhues me përparësi është çdo prodhues i energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme të energjisë që përfiton nga një skemë mbështetëse sipas akteve ligjore në fuqi.
Ndërkohë që, prodhues ekzistues me përparësi” është një prodhues që deri në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit të ri në vitin 2023, ka nënshkruar një kontratë për zhvillim projekti me ministrinë ose është pajisur me miratim paraprak për ndërtimin e kapacitetit prodhues fotovoltaik deri në 2 MW, eolik deri në 3MW dhe për hidrocentrale me kapacitet të instaluar deri në 15 MW.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.