Ngadalësohet ekonomia e Kosovës – Banka Qendrore pret rritje me 3,4% të PBB për vitin 2023
Niveli i lartë i inflacionit, si dhe rritja e normave të interesit ishin dy faktorët kryesorë që ndikuan në ngadalësimin e ekonomisë së Kosovës në tremujorin e tretë të vitit 2023.
Sipas të dhënave më të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, aktiviteti ekonomik gjatë këtij tremujori vlerësohet se ka shënuar rritje reale prej 3%. Sidoqoftë, ndikim pozitiv kanë dhënë konsumi dhe investimet. Në anën tjetër, eksportet neto kontribuuan negativisht në rritjen reale të PBB me 2 pikë përqindje.
Rritja e konsumit mund të shpjegohet përmes rritjes së kredive konsumatore, remitancave, kompensimit të punëtorëve, konsumit publik. Investimet shënuan rritje prej 2.8%, kryesisht si rezultat i rritjes së investimeve publike. Për sa i përket tregtisë së jashtme, eksportet neto thelluan deficitin tregtar me 12.8%.
Rritja e aktivitetit ekonomik në tremujorin e tretë të vitit të kaluar u mbështet kryesisht nga rritja e vlerës së shtuar në sektorin e aktiviteteve financiare dhe të sigurimit, sektorin e industrisë përpunuese, bujqësisë, tregtisë, etj.
Aktiviteti ekonomik u reflektua në rritjen e numrit të ndërmarrjeve të regjistruara, që arritën në 2,852. Sektorët e tregtisë, aktiviteteve profesionale, informacionit dhe komunikimit, si dhe aktiviteteve të pasurive të paluajtshme shënuan numrin më të madh të ndërmarrjeve të regjistruara. Ndërkohë, që gjatë kësaj periudhe u mbyllën 376 ndërmarrje.
Vlerësimet e Bankës Qendrore të Kosovës për tremujorin e katërt të vitit 2023 sugjerojnë për një rritje prej 4.4%, duke bёrё qё viti 2023 tё mbyllet me një nivel tё rritjes sё Prodhimit të Brendshëm Bruto prej 3.4%. Investimet e përgjithshme, konsumi, si dhe eksporti i shërbimeve, i ndërlidhur me shpenzimet e diasporës, vlerësohet se janë kontribuesit kryesor të rritjes. Ndërsa, vlerësimet për rënie të eksportit të mallrave pritet të ndikojnë negativisht aktivitetin e përgjithshëm ekonomik, për shkak të strukturës aktuale të ekonomisë.
Dorian Koça / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.