OBT mbështet BE-në kundër tarifave amerikane për ullinjtë spanjollë!
Zhvillimi i fundit në grindjen e gjatë tregtare vjen ndërsa një raport i panelit të pajtueshmërisë së OBT-së i bërë publik të martën (20 shkurt) konfirmoi justifikimin e BE për sfidimin e tarifave të SHBA ndaj ullinjve të zi spanjollë.
Rasti daton në vitin 2017 kur SHBA vendosi tarifa për ullinjtë spanjollë, duke përmendur dëmin e shkaktuar prodhuesve amerikanë për shkak të subvencioneve të BE-së drejtuar prodhuesve spanjollë të ullirit përmes Politikës së Përbashkët Bujqësore (CAP).
Më pas, Departamenti Amerikan i Tregtisë vendosi detyrime anti-subvencionime dhe anti-dumping që varionin nga 30% në 44% për importet e ullinjve të zi spanjollë.
BE-ja i kundërshtoi këto masa në OBT, duke çuar në një betejë ligjore që zgjati mbi katër vjet dhe përfundoi zyrtarisht në nëntor 2021, kur një panel i parë vendosi se veprimet e administratës amerikane ishin në kundërshtim me rregullat e OBT-së.
Në veçanti, masat supozonin kalimin automatik dhe të plotë të subvencioneve nga prodhuesi te transformatori i produkteve bujqësore, gjë që nuk mjafton për të justifikuar vendosjen e tarifave, konstatoi paneli i parë.
Në raportin e tij përfundimtar, paneli i pajtueshmërisë u bëri jehonë konkluzioneve të vendimit të mëparshëm dhe kujtoi se SHBA-ja kishte dështuar në zbatimin e rekomandimeve të OBT-së të përshkruara në gjetjen e vitit 2021.
“Ne i bëjmë thirrje palës amerikane që të përputhet me shpejtësi dhe të ofrojë lehtësim për sektorin spanjoll të ullinjve, i cili është goditur në mënyrë të paligjshme nga detyrimet anti-subvencione të SHBA-së që nga viti 2018”, tha zëvendëspresidenti ekzekutiv i BE-së për tregtinë, Valdis Dombrovskis.
Vendimi i fundit i lejon Brukselit të marrë mjete të mëtejshme, duke përfshirë masa hakmarrëse, për të siguruar që SHBA të zbatojë plotësisht rekomandimet e panelit.
“Ky është një panel pajtueshmërie, kështu që ne tani presim të punojmë për pajtueshmërinë,” tha një zëdhënës i komisionit, duke shtuar se ekzekutivi i BE-së synonte të angazhohej fuqishëm me SHBA-në për pajtueshmërinë përpara se të shqyrtonte opsionet e mëtejshme.
Rezultati i kësaj mosmarrëveshje mund të ketë implikime më të gjera përtej industrisë evropiane të ullirit për mënyrën se si subvencionet bujqësore të BE-së – të kontestuara historikisht si një praktikë anti-konkurruese që favorizon masivisht fermerët europianë – perceptohen në nivelin e OBT-së.
Edel Strazimiri / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.