Problemet e vështira të ekonomisë së Gjermanisë – Plakja e popullsisë dhe modeli i saj industrial
Rimëkëmbja e Gjermanisë nga goditja e trefishtë e gjysmës së parë të shekullit të 20-të me rënien e monedhës në 1923, Depresionin e Madh dhe disfatën në Luftën e Dytë Botërore ka qenë spektakolare, sa në vitet 1950-1960 quhej ‘mrekullia ekonomike e Gjermanisë’. Por, sot vendi ka sërish një problem.
Problemi sot nuk është aq serioz sa një shekull më parë, por ekonomia gjermane është goditur me siguri nga lufta në Ukrainë, ngadalësimi i Kinës dhe kthimi i globalizimit. Gjermania ka probleme më të thella si popullsia e saj në plakje dhe modeli i saj industrial. Shifrat e fundit nga sektori i prodhimit tregojnë Gjermaninë si një ekonomi analoge që po lufton për të kaluar në epokën dixhitale. Prodhimi industrial ka rënë për pesë muaj rresht dhe është ulur 7% krahasuar me nivelet para pandemisë. FMN parashikon se Gjermania do të jetë e vetmja ekonomi e zhvilluar që do të rrëshqasë në recesion këtë vit. Ekonomia e saj u tkurr në korrik dhe shtator dhe ka të ngjarë të bëjë të njëjtën gjë në tremujorin e fundit të vitit dhe për këtë arsye të jetë në recesion.
Vendi ka arritur të gjejë furnizues alternativë të energjisë për të kompensuar mungesën e gazit natyror rus, por po paguan më shumë për energjinë dhe industritë me energji intensive janë goditur. Performanca e saj e mirë para pandemisë ishte për shkak të kërkesës së fortë kineze për produkte gjermane. Por tani është ulur. Ndërkohë, prodhuesit e saj të automjeteve janë goditur dy herë nga automjetet elektrike të lira të Kinës dhe nga subvencionet e Uashingtonit për investime të gjelbra në SHBA.
Që kur Angela Merkel mbylli termocentralet bërthamore në vitin 2011, disa muaj pas aksidentit në Fukushima, Gjermania është bërë plotësisht e varur nga gazi i lirë rus. Dhe gjëja më e keqe ishte se në të njëjtën kohë ekonomitë e tjera të Eurozonës arritën të bëhen më të vetë-mjaftueshme.
Bundesbank, është shfaqur si një simbol i suksesit të vendit të pasluftës. Tepër e pavarur, ajo mori përsipër detyrën për të siguruar që ekonomia e Gjermanisë të mos kthehej më në ditët e errëta të vitit 1923, kur një pullë postare kushtonte sa një pallat sot. Që nga themelimi i BQE-së 25 vjet më parë, Bundesbank nuk është më ajo që përcakton normat e interesit ose është përgjegjëse për stabilitetin e çmimeve.
Megjithatë, presidenti i saj, Joachim Nagel, ruan ndikim të madh si jashtë ashtu edhe brenda vendit. Duke folur pak ditë më parë në Londër, ai pranoi se ishte gabim i Gjermanisë që varej në një masë të tillë nga gazi natyror rus. Megjithatë, ai deklaroi se ishte optimist se ekonomia e Gjermanisë do të ishte në gjendje të rimëkëmbej përsëri. Ai gjithashtu vuri në dukje se Gjermania është një ekonomi e madhe e hapur e ekspozuar ndaj problemeve globale të zinxhirit të furnizimit dhe ngadalësimit të Kinës. Por Nagel këmbëngul se vendi i tij ka potencial të madh për t’u rikuperuar dhe bizneset e tij do t’i përgjigjen sfidave siç kanë bërë në të kaluarën.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.