Protestat e fermerëve në Francë – Parisi kërkon ndryshimin e ligjeve të BE
Franca kërkon një vendim, brenda kësaj jave, për ndryshimin e rregulloreve mjedisore të Bashkimit Europian. Në mënyrë më specifike kjo ka të bëjë me sipërfaqet bujqësore të cilat duhet të mbeten djerrë sipas rregullave të reja të biodiversitetit, pasi synohet ndihma ndaj fermerëve të vendit.
Qeveria franceze po përpiqet të përmbajë protestat mbarëkombëtare nga fermerët, të cilët kërkojnë paga dhe kushte më të mira jetese, me shumë që do i bashkohen manifestimeve në Paris.
Fermerët belgë gjithashtu filluan një protestë të hënën, me shumë fermerë në të gjithë Europën që ankohen se Bashkimi Europian nuk po bën sa duhet për t’i ndihmuar ata përballë konkurrencës ndërkombëtare dhe globalizimit.
Nga ana e tij ministri francez i bujqësisë, Fesneau u shpreh se brenda 48 orëve të ardhshme do të ketë masa të caktuara që do të vendosen për diskutim në tryezë. Fesneau tha se një nga pikat e mosmarrëveshjes që Franca do të kërkonte të ndryshonte për të ndihmuar fermerët e vendit ishte një ligj i natyrës i Bashkimit Europian i miratuar vitin e kaluar.
Vitin e kaluar, Parlamenti Europian votoi për të miratuar një ligj të kontestuar ashpër për të rivendosur ekosistemet natyrore të degraduara.
Legjislacioni do t’u kërkojë vendeve të vendosin masa për rivendosjen e natyrës në një të pestën e tokës dhe detit të tyre deri në vitin 2030. Qëllimi është të rikthehet rënia e habitateve natyrore të Europës – 81% e të cilave klasifikohen si me shëndet të dobët. Megjithatë, shumë fermerë janë ankuar se kjo mund të ndikojë në bizneset e tyre.
Dorina Kurtaj /SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.