Pse ka rëndësi marrëveshja e kontributeve me Italinë? – Hoxha: Palët duhet të detajojnë modalitetet përpara ratifikimit
Finalizimi i marrëveshjes për njohjen reciproke të kontributeve për sigurimet shoqërore me Italinë është vlerësuar nga ekspertët shqiptarë për çështjet e pensioneve.
Në një intervistë për SCAN TV, eksperti Kujtim Hoxha ka thënë se duhet të bëhet detajimi i modaliteteve, në mënyrë që të mos ketë probleme më pas për njehsimin e kontributeve.
Hoxha sjell si shembull shërbimin e detyrueshëm ushtarak për meshkujt dhe 4 vitet e studimit të shkollës së lartë për femrat, ku në legjislacionin shqiptar njihen si vite pune.
Eksperti Hoxha ka thënë se kjo marrëveshje është mjaft e rëndësishme dhe tashmë duhet të ketë një koordinim pune, në mënyrë që problematikat të evidentohen përpara ratifikimit të marrëveshjes dhe kalimit në Parlamentet respektive.
Janë mbi 500 mijë emigrantë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në shtetin fqinj, që pritet të përfitojnë nga njohja e sistemit të pensioneve mes dy shteteve.
Aktualisht Shqipëria ka nënshkruar rreth 15 marrëveshje për njohjen e sigurimeve.
Alida Lula / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.