Qeveria italiane do të ndihmojë fermerët – Lehtësime tatimore për përballjen me vështirësitë
Qeveria e Italisë do të ofrojë lehtësi tatimore për të ndihmuar fermerët që përballen me vështirësi, duke siguruar mbështetje për sektorin mes një vale protestash në të gjithë Europën. Fermerët kanë organizuar protesta për të shprehur zemërimin e tyre për çmimet e ulëta të produkteve, kostot në rritje, importet e lira dhe kufizimet e vendosura nga përpjekjet e Bashkimit Europian për të luftuar ndryshimet klimatike, duke kërkuar reagim nga autoritetet.
Protestat janë zbutur në Francë dhe Gjermani për momentin, por duket se po rriten në intensitet në vende si Italia, ku grupe fermerësh janë mbledhur jashtë Romës me traktorët e tyre.
Qeveria duket se do të rivendosë pjesërisht një ulje të tatimit mbi të ardhurat, që ishte hequr në buxhetin 2024, duke pranuar një nga kërkesat kryesore të fermerëve. Një masë kjo që që synon përjashtimin nga taksat për ata sipërmarrës bujqësorë që kanë nevojë për mbështetje efektive, sipas ministrit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Luca Ciriani.
Nga ana e saj kryeministrja Giorgia Meloni u shpreh se është e qartë se përparësia kryesore për qeverinë e saj në menaxhimin e burimeve publike është përdorimi i tyre për të mbështetur më të dobëtit. Ajo tha se lehtësitë tatimore mund të përfshihen në një dekret që po shqyrtohet aktualisht në parlament.
Bujqësia është një sektor i ndjeshëm për administratën e djathtë të Melonit. Coldiretti, grupi kryesor i lobit bujqësor, ka një lidhje të ngushtë me qeverinë, por protestat aktuale po udhëhiqen nga një sërë shoqatash të tjera.
Meloni tha se qeveria e saj kishte bërë tashmë shumë për të mbrojtur fermerët nga politikat evropiane që shihen si të dëmshme. Ajo theksoi se qeveria mbrojti sektorin e bujqësisë nga disa zgjedhje që ishin shumë ideologjike.
Dorina Kurtaj /SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.