Rama: Ambicia e Shqipërisë është që deri në qershor të jetë pjesë e zonës së përbashkët të pagesave euro
Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë Samitit të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian që po mbahet në Tiranë, se ambicia e Shqipërisë është që deri në muajin qershor të jetë pjesë e zonës së përbashkët të pagesave euro.
Rama theksoi në fjalën e tij se nëse vendet e rajonit arrijnë të bëhen pjesë e sistemit të përbashkët të pagesave për zonën evropiane, atëherë do të ulen me 6 herë kostot e personave jashtë shtetit që do të dërgojnë pagesa brenda vendit. Gjithashtu ai tha se nëse kjo do të arihet, do të ulen me 6 herë dhe kostot e transakioneve të biznesit me vendet e BE-së.
“Nëse përmbushim të gjitha kriteret për zonën e përbashkët të pagesave, zonës evropiane të përbashkët të pagesave, do të ulim me gjashtë herë tarifat e qytetarëve tanë që ndodhen jashtë për të dërguar para në shtëpi, duke qenë se do të ulë 6 herë koston e të gjitha transaksioneve të biznesit me vendet e BE-së. Vetëm duke bërë këtë, ne në Ballkanin Perëndimor mund të kursejmë afro gjysmë bilioni euro në xhepat e njerëzve”, tha Rama.
“Ambicia jonë si Shqipëri është të jemi gati në qershor për aplikimin tonë. Nëqoftëse ulim vetëm me 3 orë, vetëm 3, kohën e pritjes së kamionëve tanë në kufijtë tanë rajonal dhe në kufijtë me Bashkimin Europian, mund të marrim një rritje të përgjithshme prej 25 miliardë eurosh, 3 përqind. Po për të shkuar aty na duhet që të gjithë së bashku të kryejmë një proces mjaft kompleks dhe mund të ndaj këtu se mbështetur në përvojën nga Ballkani i Hapur, ku Shqipëria Serbia, dhe Maqedonia e Veriut bënë përpjekje për ta përshpejtuar këtë proces ky ushtrim nuk është i lehtë. Nëse ia dalim që 500 bashkitë tona t’i përfshijmë në programin e internetit, Wifi për Ballkanin Perëndimor në hapësirat publike që në fakt është një binjake e re programit të BE-së për internetin falas në zonat publike, ne mund ta çojmë të gjithë shoqërinë e rajonit në një nivel krejt tjetër sa u takon shërbimeve të shpejta me cilësi të lartë”, u shpreh kryeministri.
“Nga ana tjetër, nëqoftëse integrohemi në rrjetin digjital europian mund t’iu japim në NBM-ve tona një nxitje modernizimi me një ndikim mjaft të rëndësishëm mbi kostot dhe përfitimet e tyre. Thënë e gjithë kjo nuk mund ta theksoj dot më shumë se kaq nevojën për ta lënë politikën ballkanike jashtë kësaj sfide të përbashkët dhe të përqendrohemi të gjithë tek suksesi i këtij ushtrimi të jashtëzakonshëm, por po kështu me mjaft përfitime”, u shpreh Rama.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.