Rënia e tregtisë BE-Rusi pas sanksioneve – Eurostat: Rezultatet e kufizimeve në importe dhe eksporte, janë të dukshme
Një rënie e ndjeshme e vëllimit të tregtisë ndërmjet BE-së dhe Rusisë është shënuar që nga fillimi i luftës në Ukrainë e deri më sot, sipas shifrave të publikuara nga Eurostat.
Efektet e kufizimeve të vendosura nga Bashkimi Eropian në importet dhe eksportet e shumë produkteve nga Rusia janë bërë veçanërisht të dukshme muajt e fundit. Eurostta thekson se duke marrë parasysh vlerat e rregulluara sezonalisht, si eksportet ashtu edhe importet ranë ndjeshëm nën nivelet përpara pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Në veçanti, pjesa e Rusisë në importet jashtë BE-së ra nga 6.4% në 3.8% midis shkurtit 2022 dhe shtatorit 2022. Në të njëjtën periudhë, eksportet e BE-së në Rusi ranë nga 2.3% në 1.1%. Deficiti tregtar i BE-së me Rusinë arriti kulmin në mars 2022 në 19.6 miliardë euro. Më pas u ul gradualisht dhe në shtator 2022 ishte 9.7 miliardë euro.
Për sa i përket peshës së Rusisë në importet jashtë BE-së për gjashtë produkte kryesore, ka pasur një rënie të madhe të qymyrit, gazit natyror, naftës, plehrave dhe hekurit e çelikut, ndërsa ka pasur një rritje të vogël në nikel. Ndërmjet vitit 2021 dhe tremujorit të tretë të 2022, rëniet më të mëdha u regjistruan në importet e qymyrit, gazit natyror, plehrave dhe hekurit e çelikut.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.