Revolucion në shërbimet financiare – Kryeministri Rama u kërkon bankave ndryshim të shpejtë dhe real
Kryeministri Edi Rama dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, kanë zhvilluar një takim me përfaqësuesit e sistemit bankar në vend dhe industrisë së Teknologjisë Financiare ose Fintech, që ka marrë një zhvillim të jashtëzakonshëm në vitet e fundit.
Në fokus të takimit ishin çështjet dhe sfidat që lidhen me zhvillimet inovative në sektorin financiar. Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama i tha drejtuesve të bankave dhe të Fintech se dixhitalizimi i shërbimeve financiare është një prioritet kombëtar i qeverisë dhe i bëri thirrje që ndryshimi duhet të vijë shumë shpejt.
“Shpresoj që bankat ta kuptojnë këtë, që kjo është një çështje e një prioriteti kombëtar të qeverisë, të një prioriteti strategjik të Shqipërisë dhe ne duam të shikojmë ndryshim të shpejtë, duam të shikojmë ndryshim të thellë, duam të shikojmë ndryshim real dhe duam të shikojmë, jo pas disa vitesh, por duam të shikojmë këtë vit pensionistë që marrin pensionet përmes sistemeve të reja. Duam të shikojmë bizneset që shesin me këto sisteme, duam të shikojmë rënie reale të cash-it në qarkullim, duam të shikojmë rritje reale të transparencës së parasë dhe rritje reale të të ardhurave për vendin dhe këtë gjë ne duam ta bëjmë në mirëkuptim të plotë dhe në paqe”.
Ndërsa guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se pas miratimit të ligjit për pagesat dhe licencimeve, tashmë duhet bërë më shumë me implementimin e këtij ligji, sidomos me “open banking”.
Në takimin me temë “Inovacioni në Sistemin Financiar”, të zhvilluar në Shtëpinë e Biznesit, të pranishëm ishin edhe Ministri i Financave, Ervin Mete, Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, si dhe drejtues të Shoqatës së Bankave, sektorit bankar dhe institucioneve të parasë elektronike.
Lidion Kulla/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.