Rregulla të reja për zhdoganimet e mallrave në kufi – Digjitalizim total i procedurave për bizneset, ulet koha e pritjes
Në tre vitet e ardhshme qeveria shqiptare synon që të eliminojë ndjeshëm barrierat jo tarifore me të cilat përballen bizneset eksportuese si dhe të ulë kohën e qëndrimit në kufi me të paktën 30 minuta. Referuar programit të reformave ekonomike 2024-2026, në lidhje me barrierat jo tarifore, në 2024-ën me mbështetjen teknike të Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin (UNCTAD(, Shqipëria do të krijojë një platformë online për legjislacionin vendas që lidhet me barrierat jotarifore.
Po ashtu, thjeshtimi i procedurave doganore do të jetë një tjetër reformë e rëndësishme në përputhje me angazhimet e marra në Marrëveshjen e Lehtësimit të Tregtisë të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT), e fokusuar në para-mbërritje dhe një dritare të vetme.
Sipas dokumentit, në fushën e tregtisë ndërkufitare janë në zbatim tre projekte madhore: Projektimi dhe instalimi i një dritareje të vetme kombëtare One stop shop; Sistemi i ri i Kompjuterizuar i Tranzitit – NCTS dhe Përmirësimi i Pikës së Kalimit Kufitar – Qafë Thanë-Kjasafan. Deri në fund të vitit 2025, kur pritet të finalizohen këto projekte, parashikohet që procedurat tregtare të jenë plotësisht të digjitalizuara, më të thjeshtuara si dhe koordinim dhe bashkëpunim më të mirë me rajonin dhe BE-në.
Ndërhyrje do të ketë sa i takon edhe rregullave të reja të origjinës. Që rregullat e origjinës të Konventës së Rishikuar të Pan-Euro-Mesdhetare (PEM) të jenë të zbatueshme, Palët Kontraktuese duhet të kenë në fuqi marrëveshje të tregtisë së lirë ndërmjet tyre dhe ato duhet të përmbajnë rregulla identike të origjinës. Për rrjedhojë, miratimi i Konventës së Rishikuar do të pasohet nga ndryshimet në shtojcat e “Përkufizimit të konceptit të “produkteve origjinuese” dhe “metodave të bashkëpunimit administrativ” të marrëveshjeve të tregtisë së lirë që Shqipëria ka me Bashkimin Evropian – MSA. Marrëveshja CEFTA – 2006, marrëveshja me shtetet EFTA dhe Marrëveshja me Turqinë. Amendamentet e Konventës do të hyjnë në fuqi më 1 janar 2025, duke i lënë kohë Palëve Kontraktuese për të përfunduar procedurat e brendshme për miratim dhe hyrje në fuqi.
Hapja e mëtejshme e politikës tregtare shqiptare drejt rritjes së mundësive të bizneseve për të rritur peshën e tregut në tregjet tradicionale dhe potenciale, pritet të ndikojë pozitivisht në ekonomi në rritjen e PBB-së dhe krijimin e vendeve të punës.
Elisabeta Dosku / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.